Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, gjatë paraqitjes në emisionin “Click Plus” në TV21, deklaroi se ekzistojnë dyshime se sistemi “Safe City” po mbron persona të afërt me OBRM-PDUKM-në. Filipçe tha se LSDM e mbështet përmirësimin e sigurisë në komunikacion, por se mbeten të hapura pyetje serioze lidhur me kontrollin dhe menaxhimin e të dhënave që mbledh ky sistem. “Çfarë ndodh me të dhënat? Si mund të mbështesim një ligj në të cilin nuk është e rregulluar aspak se çfarë ndodh me të dhënat që sistemi ‘Safe City’ i mbledh. Ju incizojnë kudo nëpër qytet, askush nuk e di ku ruhen këto të dhëna dhe kush i kontrollon. Kemi informacione se disa targa të automjeteve të anëtarëve të OBRM-PDUKM-së janë hequr nga sistemi ‘Safe City’, në mënyrë që të mos regjistrohen dhe të mos ndëshkohen njerëzit e tyre”, tha Filipçe. Ai shtoi se këto informacione janë serioze dhe se në periudhën e ardhshme pret të dalin edhe detaje shtesë. “Këto janë informacionet që po arrijnë tek ne dhe do të shohim në periudhën e ardhshme se çfarë informacionesh të tjera do të dalin”, tha Filipçe.