Tre fitore në katër ndeshjet e fundit kanë ndikuar që Besës së Pejës t’i rikthehet besimi se mund të arrijnë të “mbijetojnë” në Ligën e Parë. Konkurrenca në divizionin e dytë të futbollit së Kosovës këtë edicion ka qenë i jashtëzakonshëm, ku përpos gjashtë skuadrave që po kandidojnë për t’u kthyer në elitë, është një garë e madhe edhe për të mos rënë në Ligën e Dytë. Me përforcimet e mëdha në afatin kalimtar dimëror, një prej tyre edhe rikthimin e Donart Sheqerollit, të cilit iu besua edhe shiriti i kapiteni – Besa e Pejës po punon intensivisht për ta arritur objektivin. Sheqerolli në një intervistë për Telegrafin thotë se fillimi i këtij viti ka qenë i shkëlqyer, kurse me përforcimet e shumta beson se do të qëndrojnë në Ligën e Parë. “Në këtë fillim të sezonit kemi startu shumë mirë. Prej katër ndeshjeve i kemi tre fitore. Kur kemi ardh e kemi gjetë klubin në pozitë jo të mirë në tabelë. Do të jetë e vështirë, por bashkë me kryesin e klubit, me transferet që kemi bo shpresojmë shumë që do të mbesim pjesë e Ligës së Parë”. Ai e pranoi se gara këtë edicion ka qenë tepër e madhe edhe shkaku që disa ekipe me traditë po ëndërrojnë ngritjen. “Në këtë vit kampionati në Ligën e Parë është shumë i fortë, dihet se ka skuadra më shumë histori, me shumë traditë. Në të njëjtën kohë në këtë vit në Ligë të Parë ka edhe shumë trajnerë me emër, gjë që e bënë garën që e bën shumë të vështirë, për të njëjtën kohë edhe shumë të konkurrueshme”. Sheqerolli ndër të tjera shtoi se nuk u rikthye te Besa shkaku i shiritit, por për ta ndihmuar klubin e vendlindjes. “Mund të duket vendim i papritur, por për mua është shumë e lehtë. Momenti që thirrë klubi i qytetit, ku unë jam rrit edhe jam zhvilluar edhe si lojtar, po edhe si person”. “Është shumë e lehtë për me u kthy këtu. Nuk ka të bëjë as me shiritin e kapitenit, as me ndonjë përfitim tjetër, përveç dëshirës që e kam”. Në fund, mesfushori me plot optimizëm deklaroi se Besa e Pejës do t’i nxjerrë probleme secilit kundërshtarë. “Atmosfera është shumë e mirë. Kemi ndërtuar në këtë zonë një skuadër shumë konkurruese. Jena skuadër shumë e fortë për secilin kundërshtar edhe besojmë që do t'ia arrijmë qëllimit që e kemi të përbashkët”. “Synimet afatgjatë? Besoj që do të jem shumë gjatë këtu tek Besa, aq gjatë, të vazhdoj derisa ta përfundoj karrierën. Këto janë synimet”, përfundoi ai. Kujtojmë, pas 22 xhirove – besa zë pozitën e parafundit me 17 pikë, por dallimi është aq i vogël sa me një fitore menjëherë ngjitët në pozitën e 12-të./ Telegrafi /