Mediu deklaroi se muxhahedinët erdhën në Shqipëri, pasi ata rrezikonin të eliminoheshin fizikisht në Iran. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, komentoi pranimin e muxhahedinëve në Shqipëri dhe rolin që kanë pasur qeveria e Ramës dhe Berishës në këtë proces. Në një intervistë për Klan News, Mediu u shpreh se muxhahedinët u pranuan që në qeverisjen e Berishës, pasi rrezikonin të eliminoheshin. “Berisha pranoi vetëm disa muxhahedinë, por Rama i mori të gjithë”, deklaroi Mediu. Ai shtoi se opozita iraniane ishte në rrezik të eliminimit dhe vendosja e tyre në Shqipëri u bë me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Opozita iraniane ishte në rrezik të eliminimit fizik dhe do vendoseshin në vendet aleate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata ishin të mirëpritur. Por sot, ne i kemi izoluar tërësisht, sikur janë njerëz që vetëm mund të hanë e të pinë dhe nuk mund të bëjnë asgjë tjetër”, tha Mediu. Ai u shpreh se kjo kategori erdhi në Shqipëri në rrethana të jashtëzakonshme. “Ne nuk duhet të harrojmë kontekstin ndërkombëtar dhe atë të sigurisë, sepse këta njerëz erdhën në Shqipëri në rrethana të jashtëzakonshme. Kjo nuk ishte një çështje vetëm humanitare, por edhe strategjike”, theksoi Mediu. Ish-ministri komentoi dhe protestën kombëtare të Partisë Demokratike në 12 mars. Mediu iu bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në tubim. “Protesta nuk duhet marrë si rast i shkëputur, është protestë ndaj qeverisë Rama, që ka shkatërruar çdo institucion të vendit. Rama po degradon institucionet e shtetit shqiptar. Rama sillet si monark. Ai nuk pyet për asgjë, as për sigurinë kombëtare, as për politikën e brendshme e as të jashtme. Kilometri i fundit është për demokratët, por jo vetëm, është për të gjithë qytetarët. Ka një ndërgjegjësim, që jetojmë në një qeveri, që ka afera tërësisht skandaloze. Kjo ka bërë që Gjermania dhe BE-ja të reagojë. Protestat duhet të vazhdojnë, që Shqipëria ta kthejmë në binarët e BE-së. Kjo qeveri nuk ka asgjë të përbashkët me interesat e Shqipërisë. Reagimi shoqëror duhet të lidhet me shpresën për ndryshim”, tha Mediu.