Deputetët e ASH-së mbështesin kërkesën e studentëve që provimi i Jurisprudencës të mbahet edhe në shqip

Iniciatori i peticionit për mbajtjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe për studentët e fakulteteve juridike, Mevlan Ademi, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me deputetët Ziadin Sela, Elmi Aziri dhe Ilire Dauti. Sipas Ademit, gjatë takimit u diskutua për situatën rreth organizimit të provimit të jurisprudencës dhe për nevojën që në këtë proces të respektohet plotësisht Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. “Bashkë me kolegët zhvilluam një takim të rëndësishëm me deputetët Ziadin Sela, Elmi Aziri dhe Ilire Dauti. Diskutuam për çështjen e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, si dhe për domosdoshmërinë e respektimit dhe zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, theksoi Ademi. Ai bëri të ditur se deputetët në fjalë kanë nënshkruar rezolutën për zbatimin e këtij ligji në procesin e provimit të jurisprudencës, duke mbështetur kështu kërkesën që provimi të organizohet edhe në gjuhën shqipe për studentët shqiptarë të juridikut. Ademi vlerësoi se kjo mbështetje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave gjuhësore dhe zbatimit të ligjeve në vend. “Ka ardhur koha që ligjet të zbatohen në tërësi dhe që e drejta të respektohet”, theksoi ai, duke shtuar se iniciativa do të vazhdojë deri në realizimin e plotë të kësaj kërkese të studentëve.