Sulmuesi Bukayo Saka ka pranuar se barazimi 2-2 i Manchester City ndaj Nottingham Forest u dha një motivim shtesë lojtarëve të Arsenal, pasi ata kishin mposhtur Brightonin në të njëjtën mbrëmje. Ylli anglez deklaroi se fillimisht u njoftuan nga tifozët, të cilët nisën festën në “Emirates” pas fitores ndaj Brightonit, kurse më pas lajmin ua dha Arteta. "Teksa po shkonim të përshëndesnim tifozët, ata shpërthyen përsëri në brohoritje dhe e kuptova se kishte ndodhur diçka në ndeshjet e tjera. Pastaj erdhi Mikel dhe më tha se City kishte barazuar 2-2". "Ishte një ndjenjë shumë e mirë për ne. Luftuam fort sepse e dinim se ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për Arsenalin, pavarësisht rezultateve të tjera, pasi nuk mund ta kontrollojmë atë që bëjnë të tjerët”. "Fituam kundër Brightonit dhe më pas mësuam se kishim bërë një hap përpara në garë. Është thjesht e mrekullueshme për ne”. Pas rezultateve të mesjavës, Arsenali ka një epërsi prej shtatë pikësh ndaj Manchester Cityt në Liga Premier, megjithëse skuadra e Pep Guardiola ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Arsenali ndërkohë rikthehet nesër në “aksion” ndaj Mansfieldit./ Telegrafi/