Ndryshimet në tru gjatë shtatzënisë nuk janë shenjë dobësimi, por një proces natyror që ndihmon nënën të krijojë lidhje më të fortë emocionale me foshnjën dhe të zhvillojë aftësi të reja prindërore Prej vitesh përdoret shprehja “truri i shtatzënisë” , si një shpjegim humoristik për harresën dhe ndjesinë e ngadalësimit mendor që disa gra përjetojnë gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, një studim i ri shkencor sugjeron se pas këtyre ndryshimeve fshihet një proces shumë më kompleks: truri i gruas shtatzënë vërtet ndryshon, por në një mënyrë që e përgatit atë për amësinë. Hulumtimi më i madh i këtij lloji deri më tani tregon se gjatë shtatzënisë masa gri e trurit zvogëlohet për rreth 5 për qind . Edhe pse kjo mund të tingëllojë shqetësuese në fillim, shkencëtarët theksojnë se bëhet fjalë për një proces natyror që ndihmon gratë të krijojnë lidhje më të fortë emocionale me foshnjën dhe të zhvillojnë aftësi të reja prindërore. “ Në vend që të bëhemi më pak të afta, në të vërtetë bëhemi më të specializuara për këtë rol”, thotë Tania Esparza, një nga pjesëmarrëset në studim dhe një nënë e re. Çfarë ndodh në tru gjatë shtatzënisë Studimi u krye nga studiues në Spanjë në kuadër të projektit Be Mother , ndërsa rezultatet u publikuan në revistën shkencore Nature Communications . Shkencëtarët analizuan trurin e 127 grave shtatzëna , të cilat iu nënshtruan rezonancës magnetike para shtatzënisë, gjatë saj dhe pas lindjes. Rezultatet u krahasuan me skanimet e 52 grave që nuk kishin qenë kurrë shtatzëna . Analizat treguan një ndryshim të qartë në strukturën e trurit: gjatë shtatzënisë masa gri zvogëlohet rreth 5 për qind , sidomos në zonat që lidhen me përpunimin e emocioneve, empatinë dhe lidhjen shoqërore. Një pjesë e kësaj mase gri rikthehet gjatë gjashtë muajve të parë pas lindjes , por jo plotësisht, transmeton Telegrafi. Pse zvogëlimi i masës gri mund të jetë i dobishëm Masa gri përmban qelizat nervore që marrin pjesë në përpunimin e informacionit dhe emocioneve. Megjithatë, studiuesit besojnë se zvogëlimi i vëllimit të saj nuk nënkupton humbje funksioni. Përkundrazi, bëhet fjalë për një proces që i ngjan “krasitjes” së rrjeteve nervore . “ Kur disa degë të një peme hiqen, pema mund të rritet më mirë”, shpjegon profesorja Susana Carmona, drejtoreshë e laboratorit NeuroMaternal në Madrid. Me fjalë të tjera, truri riorganizon rrjetet e tij nervore për t’u përshtatur me rolin e ri – kujdesin për fëmijën. Interesant është fakti se gratë te të cilat këto ndryshime ishin më të theksuara raportuan edhe lidhje emocionale më të fortë me foshnjën . Pjesa e trurit që ndryshon më shumë Ndryshimet më të mëdha janë vërejtur në një rrjet të trurit të quajtur “default mode network” , i cili lidhet me: • vetëperceptimin • empatinë • altruizmin • kuptimin e emocioneve të të tjerëve Këto aftësi janë thelbësore për prindërimin, sepse ndihmojnë nënën të kuptojë dhe të reagojë ndaj nevojave të foshnjës. Hormonet si nxitës i ndryshimeve Studiuesit analizuan edhe mostra të urinës dhe pështymës për të ndjekur ndryshimet hormonale. Rezultatet treguan se rritja e nivelit të estrogjenit shpesh shoqërohet me zvogëlimin e masës gri në tru. Kjo sugjeron se hormonet e shtatzënisë luajnë rol kyç në ndryshimet neurologjike që përgatisin nënën për prindërimin. Një proces i ngjashëm ndodh edhe në adoleshencë Shkencëtarët e krahasojnë këtë proces me ndryshimet që ndodhin gjatë adoleshencës , kur truri gjithashtu kalon një fazë riorganizimi përmes “krasitjes” së rrjeteve nervore. Në këtë kuptim, shtatzënia mund të përfaqësojë një tjetër fazë të rëndësishme zhvillimi në jetën e një gruaje . Pse disa gra ndiejnë “mjegull mendore” Edhe pse studimi nuk analizoi drejtpërdrejt kujtesën, shumë gra raportojnë harresë gjatë shtatzënisë. Studiuesit besojnë se kjo mund të lidhet me faktorë të tjerë si: • ngarkesa e madhe metabolike • mungesa e gjumit • ndryshimet hormonale • stresi emocional “Shtatzënia vendos një barrë të madhe fiziologjike mbi trupin, prandaj është e kuptueshme që disa gra ndihen më të lodhura dhe më pak të përqendruara”, thotë profesorja Carmona. Amësia si një transformim i madh Për Tania Esparza, pjesëmarrëse në studim, këto rezultate kanë edhe një kuptim personal. “Ishte emocionuese të mendoja se do të njihja një version të ri të vetes”, thotë ajo. Studimet po tregojnë gjithnjë e më qartë se shtatzënia nuk ndryshon vetëm trupin e gruas, por edhe trurin e saj, i cili përmes proceseve të ndërlikuara neurologjike përshtatet me një nga rolet më të rëndësishme të jetës – amësinë . /Telegrafi/