Skolioza te fëmijët me nevoja të veçanta: Ushtrimet, pozicionimi dhe monitorimi

Si ndikon skolioza te fëmijët me nevoja të veçanta dhe pse monitorimi i hershëm është vendimtar? Roli i pozicionimit korrekt, ushtrimeve terapeutike dhe bashkëpunimit mes specialistëve dhe prindërve në parandalimin e deformimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës Pt. Albenita Blakaj Fizioterapeute 044 932 262 Për fëmijët me nevoja të veçanta, ruajtja e shëndetit të shtyllës kurrizore tejkalon aspektin estetik, duke u kthyer në një faktor përcaktues për mirëqenien e tyre të përgjithshme. Meqenëse skolioza në këtë kategori mund të zhvillohet në mënyrë të heshtur dhe me hapa të shpejtë, ndikimi i saj shtrihet përtej qëndrimit trupor, duke vështirësuar frymëmarrjen, lëvizshmërinë dhe komoditetin e përditshëm. Për këtë arsye, monitorimi i rregullt dhe kujdesi për pozicionimin korrekt në çdo moment të ditës, nga qëndrimi ulur deri te gjumi, janë hapa vendimtarë për të parandaluar përkeqësimin dhe komplikimet e rënda. Ky mision kërkon një bashkëpunim të ngushtë mes ortopedit, fizioterapeutit dhe familjes, ku përfshirja aktive e prindërve është kyçe. Përmes ushtrimeve terapeutike të përshtatura, rregullimit të karrocës dhe përdorimit të ortozave, synimi mbetet i qartë: t’i ofrojmë fëmijës më shumë stabilitet dhe një jetë më cilësore, duke i pajisur prindërit me këshilla praktike dhe të zbatueshme që lehtësojnë përditshmërinë e tyre. Cilat janë llojet më të shpeshta të skoliozës dhe si dallojnë nga skolioza idiopatike? Llojet më të shpeshta te këta fëmijë janë skolioza neuromuskulare (nga dobësia muskulore ose nervore) dhe kongjenitale (keqformim i lindur i rruazave). Ndryshe nga skolioza e zakonshme (idiopatike), këto forma shfaqen më herët, përparojnë më shpejt, janë më të ngurta, shoqërohen me probleme të tjera sistemike dhe janë më komplekse. Cilat janë shenjat e para të skoliozës te fëmijët me lëvizshmëri të kufizuar? Për prindërit, monitorimi i imtësishëm i qëndrimit është vendimtar. Duhet pasur kujdes i veçantë nëse vërehen: ▪ Animi i trupit në një anë gjatë uljes ▪ Një shpatull më e ngritur lart se tjetra ▪ Pelviku i shtrembër (një vithe më e ngritur) ▪ Vështirësi në mbajtjen e kokës në vijë të mesit ▪ Rritje e nevojës për mbështetje gjatë uljes ▪ Skuqje të përsëritura në një anë (shenja presioni) ▪ Te fëmijët që nuk ecin fare, deformimi vihet re në pozicion ulur Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ortoped–fizioterapeut në monitorimin e fëmijës? Ky bashkëpunim është vendimtar për mbarëvajtjen e trajtimit, ku secili ka rolin e vet specifik. ▪ Ortopedi vlerëson strukturën kockore, shkallën e deformimit dhe ecurinë e tij përmes ekzaminimeve. ▪ Fizioterapeuti vlerëson kontrollin postural, tonusin muskulor dhe funksionin lëvizës në përditshmëri. Së bashku përcaktojnë nevojën për ortozë, ndryshimet në karrocë, planin e pozicionimit dhe kohën e kontrolleve. Së bashku, ata përcaktojnë përdorimin e ortozave, ndryshimet e nevojshme në karrocë, planin e detajuar të pozicionimit dhe kohën e saktë të kontrolleve. Mungesa e këtij koordinimi rrit rrezikun e mbikorrigjimit, përshtatjes së gabuar të pajisjeve ndihmëse dhe nëntrajtimit të gjendjes. Si monitorohet skolioza te këta fëmijë dhe sa shpesh duhen kontrollet? Për këtë kategori fëmijësh, vlerësimi kërkon qasje specifike, pasi metodat standarde (në këmbë) nuk mund të aplikohen. Metodat e monitorimit: ▪ Ekzaminim klinik në pozicion ulur dhe shtrirë ▪ Vlerësim i fleksibilitetit të shtyllës ▪ Matje e legenit ▪ Dokumentim fotografik periodik Sa shpesh duhet të bëhen kontrollet? ▪ Çdo 3–4 muaj në periudha rritjeje të shpejtë ▪ Çdo 6 muaj në rrethana të zakonshme stabilizimi ▪ Më shpesh nëse ka progresion të shpejtë Shenjat që kërkojnë vizitë të menjëhershme Në raste të caktuara, pritja e kontrollit të radhës nuk është opsion. Prindërit duhet të kërkojnë vlerësimin e specialistit menjëherë nëse vërejnë: ▪ Përkeqësim të shpejtë të animit të trupit ▪ Dhimbje të re ose të fortë të shpinës ▪ Ulje të tolerancës në ulje ▪ Probleme me frymëmarrjen ▪ Plagë presioni (dekubituse) ▪ Refuzim të papritur për të qëndruar ulur në karrocë Sa ndikon pozicionimi 24-orësh në parandalimin e deformimeve të trungut dhe legenit? Pozicionimi i saktë është një nga faktorët më përcaktues në parandalimin e skoliozës neuromuskulare te fëmijët me nevoja të veçanta. Ky proces ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e simetrisë së shtyllës, parandalimin e shtrembërimit të legenit dhe uljen e shpejtësisë së deformimit, duke shmangur njëkohësisht edhe kontrakturat e muskujve. Për të qenë efikas, pozicionimi duhet të planifikohet me kujdes për të gjithë ciklin 24-orësh: që nga qëndrimi korrekt në karrocë, te shtrirja gjatë ditës dhe përdorimi i mjeteve ndihmëse gjatë gjumit natën. Prindërit duhet të kenë parasysh se asimetria e vazhdueshme për shumë orë ushtron presion të pabarabartë mbi kockat, gjë që e përshpejton në mënyrë të pakthyeshme deformimin e trupit. Gabimet më të shpeshta në pozicionim dhe korrigjimi i tyre Shpesh, detaje të vogla në shtëpi mund të bëjnë diferencën mes progresionit të skoliozës dhe stabilitetit të shtyllës kurrizore. Mbështetja e njëanshme Gabimi: përdorimi i vetëm një jastëku anësor për të mbështetur fëmijën. Kjo shkakton anim të detyruar në anën e kundërt. Zgjidhja: sigurimi i një mbështetjeje simetrike në të dyja anët e trungut për të mbajtur trupin në qendër. Mosndryshimi i karrocës me rritjen e fëmijës Gabimi: përdorimi i një karroce ose ulëseje të parregulluar që ka mbetur e vogël për fëmijën. Zgjidhja: kryerja e rregullimeve periodike çdo disa muaj për t’u përshtatur me ndryshimet e gjatësisë dhe gjerësisë së trupit. Pozicioni i njëjtë gjatë gjumit Gabimi: lejimi i fëmijës që të flejë gjithmonë në të njëjtën anë, gjë që krijon deformime asimetrike. Zgjidhja: alternimi i kontrolluar i pozicioneve (majtas, djathtas, shpinë) përmes jastëkëve pozicionues. Legeni i pastabilizuar Gabimi: mungesa e stabilitetit në legen ose vendosja e gabuar e rripave. Zgjidhja: përdorimi i rripave pelvikë të vendosur saktë mbi kockat e legenit dhe jo shumë lart mbi bark, për të parandaluar rrëshqitjen ose rrotullimin. Roli i karrocave të personalizuara dhe ortozave Pajisjet e përshtatura sipas masave individuale nuk janë thjesht mjete lëvizëse, por mjete terapeutike që luajnë një rol kyç në: ▪ Stabilizimin e legenit (bazë e kontrollit postural) ▪ Mbështetjen e trungut në vijë të mesit ▪ Rritjen e tolerancës në ulje ▪ Përmirësimin e funksionit të duarve ▪ Uljen e rrezikut të plagëve të presionit (dekubituseve) Ortozat e trungut, të njohura si TLSO, luajnë një rol mbështetës duke ndihmuar në kontrollin e progresionit të kurbaturës, sidomos kur përdoren në fazat kur shtylla kurrizore është ende fleksibile. Efektiviteti i tyre rritet ndjeshëm kur kombinohen me një plan të mirëfilltë pozicionimi gjatë gjithë ditës, duke krijuar një mjedis stabil për trupin e fëmijës. Është e rëndësishme të kuptohet se në rastet e skoliozës neuromuskulare, ortoza zakonisht nuk synon korrigjimin e plotë të deformimit ekzistues, por shërben si një mjet esencial për të rritur stabilitetin e trungut dhe për të ofruar më shumë komoditet në aktivitetet e përditshme. Ushtrimet për kontrollin e trungut dhe përshtatja e tyre Ushtrimet më efektive për kontrollin e trungut kanë për qëllim rritjen e stabilitetit të legenit, aktivizimin simetrik të muskujve të trungut, kontrollin e kokës dhe të vijës së mesit, si dhe rritjen e tolerancës në ulje. Ushtrime bazë për kontrollin e trungut: aktivizimi i vijës së mesit, ulje me mbështetje minimale, nxitje vizuale (lodra me zhurmë dhe drita në mes), prekje/feedback taktil në anën e dobët. E rëndësishme: pelviku duhet të jetë i stabilizuar para se të bëjmë korrigjimin e trungut. Ushtrime në top terapeutik: lëkundje të lehta anësore, aktivizim i reflekseve stabilizuese të trupit, rritje e balancës së përgjithshme. Përshtatje për kufizime të rënda: mbështetje manuale e plotë nga fizioterapisti, lëvizje shumë të vogla mbi top terapeutik, kohë e shkurtër, por e shpeshtë e qëndrimit në top terapeutik. Ulja anash e kontrolluar: nxit aktivizimin e anës konkave të trungut, rrit fleksibilitetin lateral të trungut. Te fëmijët me kufizime të rënda: jastëkët mbështetës patjetër të vendosen, të kontrollohet manualisht pelviku. Ushtrime në pozicion të shtrirë anash: lehtësojnë punën kundër gravitetit, aktivizojnë muskujt lateralë në mënyrë më të sigurt. Kur duhet rregulluar karroca dhe si parandalohen plagët e presionit (dekubituset)? Karroca duhet rregulluar: ▪ Çdo 6 muaj minimum ▪ Pas rritjes së shpejtë ▪ Kur vërehet anim i ri i trupit ▪ Kur rripat nuk mbajnë më simetri ▪ Kur fëmija rrëshqet përpara Shenja që tregojnë se karroca nuk është e përshtatur mirë ▪ Legeni rrëshqet në pozitë prapa ▪ Një anë e trungut nuk mbështetet fare në mbështetësen e karrocës ▪ Shpatullat nuk janë në nivel ▪ Këmbët nuk janë të mbështetura mirë Parandalimi i dhimbjeve dhe dekubituseve ▪ Stabilizim i saktë pelvik (pelviku në kënd 45°) ▪ Shpërndarje e presionit (me jastëkë antidekubitalë, kontroll i pikave të presionit çdo ditë) ▪ Ndryshim i pozicionit (çdo 2–3 orë gjatë ditës) ▪ Kontroll i lëkurës (inspektim çdo ditë; nëse skuqja e lëkurës nuk largohet pas 30 minutash, kjo është shenjë alarmi) Kur bëhet e pashmangshme kirurgjia dhe si shmanget lodhja e prindërve? Kirurgjia bëhet e pashmangshme kur deformimi i shtyllës kurrizore përparon në një shkallë që trajtimi konservativ nuk arrin më ta kontrollojë dhe kur skolioza fillon të ndikojë në funksionin, komoditetin dhe cilësinë e jetës së fëmijës: ▪ Këndi Cobb > 40–50° dhe progresiv ▪ Deformim i rëndë pelvik ▪ Dhimbje të vazhdueshme ▪ Probleme respiratore ▪ Pamundësi për pozicionim funksional ▪ Kujdesi ditor bëhet shumë i vështirë Qëllimi i kirurgjisë është përmirësimi i stabilitetit, përmirësimi i uljes, lehtësimi i kujdesit dhe përmirësimi i cilësisë së jetës. Si shmanget rraskapitja e prindërve? Kujdesi afatgjatë është shumë i lodhshëm, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht. Disa strategji praktike mund të ndihmojnë: Pajisje ndihmëse: karrocë e personalizuar, sisteme pozicionimi për natë, tavolina mbështetëse. Plan kujdesi i strukturuar: orar i qartë pozicionimi, ushtrime të integruara në rutinë. Mbështetje multidisiplinare: ortoped, fizioterapeut, terapist i aktiviteteve të përditshme, psikolog. Edukim i prindërve: si të korrigjojnë pozicionin, si të identifikojnë shenjat e hershme, si të mbrojnë shpinën e fëmijës gjatë transferimeve. /Telegrafi/