Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli ditë më parë ka marr vendim që të ndalohet rreptësisht çdo lloj aktiviteti ndërtimor pa leje brenda Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri” në Kosovë. Ajo në një postim në Facebook kishte thënë se ky është hapi i parë në përpjekjen për të rikthyer ligjshmërinë dhe rendin në zonat e mbrojtura. “Me këtë vendim ndalohet qarkullimi për të gjitha mjetet e transportit që bartin material ndërtimor, mjetet e rënda të punës dhe makineritë e specializuara për ndërtim, brenda zonave të Parqeve Kombëtare në Republikën e Kosovës, pa leje apo autorizim të posaçëm lëshuar nga MMPH. Ky është hapi ynë i parë në përpjekjen për të rikthyer ligjshmërinë dhe rendin në zonat e mbrojtura. Parqet tona kombëtare janë pasuri e përbashkët që duhet ruajtur secili nga ne”, kishte shkruar ajo. E sot, lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryetari i AAK-së në një postim në Facebook shkruan se “vendimi i ministres në detyrë, Fitore Pacolli, për të ndaluar transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna, me arsyetimin e mbrojtjes së ekosistemit, është një shembull i qartë i një qasjeje të paditur dhe të shkëputur nga realiteti” “Pa e njohur terrenin, pa e kuptuar jetën e njerëzve që jetojnë atje dhe pa ndjerë vështirësitë e tyre, po merren vendime që godasin drejtpërdrejt familjet, fshatrat dhe ekonominë lokale. Rugova dhe Bjeshkët e Nemuna nuk janë thjesht një zonë natyrore në hartë, ato janë zona të banuara me 13 fshatra, ku njerëzit jetojnë, ndërtojnë, punojnë dhe përpiqen të zhvillojnë ekonominë e tyre në kushte tashmë të vështira infrastrukturore. Në vend që kjo perlë turistike e Kosovës të mbështetet me investime në rrugë, infrastrukturë dhe zhvillim të qëndrueshëm, po përballet me vendime që rrezikojnë ta izolojnë dhe ta mbysin çdo mundësi zhvillimi. Ky është mentaliteti i një qeverie që në largim po lë pas vetëm pengesa, vendime të dëmshme dhe një pasqyrë të qartë të paaftësisë për të kuptuar nevojat reale të qytetarëve të saj”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/