​Kostoja marramendëse e zgjedhjeve - si po rrezikohet stabiliteti i Kosovës për kolltukë politikë?

Shkuarja e mundshme në zgjedhje të reja në Kosovë shihet nga njohësit e ekonomisë si një barrë e rëndë financiare dhe institucionale për vendin. Ndërsa mund të përfitoheshin rreth 100 milionë euro nga projekte që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, politika po e çon vendin drejt një procesi zgjedhor që rrit presionin mbi buxhetin dhe pengon progresin ekonomik. Për të premten ishte e ftuar një seancë parlamentare për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat mund të përmirësonin ndjeshëm jetën e qytetarëve, por vendimi për zgjedhje të reja duket se po bën që këto mundësi të ngecin në letër. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke e cilësuar si detyrim kushtetues. Sipas saj, vendimi erdhi pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit. Eksperti ekonomik, Safet Gërxhaliu, vlerëson se në një kohë kur shtetet e zhvilluara përpiqen të forcojnë stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve, në Kosovë po eksperimentohet me institucionet. Sipas tij, dështimet politike që çojnë në zgjedhje të reja përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë për ekonominë. “Derisa vendet e zhvilluara tentojnë të gjejnë metoda për ta forcuar shtetin, për ta mbrojtur nga ndonjë sulm eventual, për të qenë me qytetarët në aspektin ekonomik dhe në aspektin social, për të ruajtur vlerat e shtetit të tyre. Në Kosovë eksperimentohet me shtetin dhe kjo që ka ndodhur me zgjedhjen e presidentit apo presidentes së Kosovës, apo me moszgjedhjen e tyre dhe shkuarja në zgjedhje, është vërtet një dëm që duhet të analizohet në shumë dimensione... Në aspektin ekonomik që vërtetë është një goditje e radhës në dëm të Kosovës. Borxhi në bankat komerciale në Kosovë, nga qytetarët dhe bizneset, ka arritur aq shumë sa që e rrezikon stabilitetin makrofiskal, sepse afër 80 për qind e GDP-së së Kosovës sot është nëpër kredi të ndryshme nga bizneset dhe qytetarët. Kur kësaj i shtohet fakti që e kemi një rritje të kamatave që po ndikon çdo ditë e më tepër në ngadalësimin e proceseve zhvillimore të sektorit privat. Kur e kemi afër 700 milionë euro tërheqjen përmes kartelave bankare apo overdraftin dhe kur krejt kësaj i shtohet që e kemi një inflacion që muajin shkurt ka qenë afër 5.8 për qind, e dëshmon më së miri se në çfarë situate ekonomike është Kosova dhe çka i pret qytetarët e saj”, thekson Gërxhaliu. Përveç ndikimit të përgjithshëm ekonomik, Gërxhaliu thekson se zgjedhjet në vetvete kanë një kosto të konsiderueshme financiare. Sipas tij, vetëm organizimi i zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 9 deri në 10 milionë euro. Derisa thekson se po abuzohet me paranë publike. “Vetëm zgjedhjet eventuale Kosovës do t'i kushtojnë në disa dimensione në aspektin ekonomik. E para do të jetë, do të thotë, kjo që do të kushtojnë përmes KQZ-së afër 9 milionë deri në 10 milionë euro. Në rend të dytë do të ketë shpenzime që i mbulojnë vetë partitë politike. Në rend të tretë i mbulojnë vetë kandidatët për deputetë. Dhe kjo është një kampanjë e abuzimit të parasë publike. Në rend të parë duke shfrytëzuar infrastrukturën dhe në rend të dytë duke shpërndarë tani pa asnjë kontroll, qoftë në ndihma sociale, qoftë në tentativa të ndryshme në mënyrë indirekte, në mënyrë ligjore për të blerë votat përmes një politike sociale që e kanë dëshmuar në të kaluarën. Vërtetë abuzimi i parasë publike është mëkati më i madh, sepse sot qytetarët e Kosovës kanë nevojë për mbështetje si kurrë më parë, por jo në këtë mënyrë me prapavijë djallëzore politike, duke kalkuluar në blerjen e votave dhe eventualisht fitimin e zgjedhjeve që do të mbahen brenda këtij viti”, potencon Gërxhaliu. Ndërkaq, edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Adem Qorrolli, shprehet kritik ndaj situatës aktuale institucionale dhe ekonomike në vend. Sipas tij, Kosova përballet me probleme serioze sociale dhe ekonomike, ndërsa qytetarët jetojnë me të ardhura shumë të ulëta. Ai përmend se një pjesë e madhe e popullsisë jeton me rreth dy euro në ditë, ndërsa pensionet mbeten në nivel shumë të ulët. “Kosova ka tashmë ka para vetes atë që ne e kemi paralajmëruar sepse kemi institucione që nuk e kanë dertin as sigurimit shëndetësor, as ushtrisë dhe as policisë, e as qytetarit të varfër, sepse të shkohet në zgjedhje me një pension 120 euro, me varfëri të skajshme dhe me 40 për qind të popullsisë që jetojnë në shtresën 2 euro në ditë, dhe të shkohet në zgjedhje me minus 6 milionë euro buxhet dhe paratë e shtetit të keqpërdoren në këtë mënyrë, dhe përsëri kjo kastë politike të jetë pjesë e institucioneve tona dhe qytetari jonë t'i sheh si jetesë apo t'i sheh të frymëzuar për ne, me të vërtetë do të jetë e dhimbshme”, tha ai. “Dhe ne me të vërtetë jemi meritorë për këto institucione, dhe ne jemi meritorë për atë që dinë të na i bëjnë popullit dhe tarifave shtetërore, po tashmë është kuptuar që këta nuk e kanë fokusin institucional, nuk e kanë fokusin e qytetarëve, nuk e kanë fokusin e çdo lëmie që është pro probabilitetit që ne të jetojmë më mirë, ne të kemi ekonomi më të mirë dhe ne kemi të kemi zhvillim ekonomik”, thotë Qorrolli. Sipas tij, shkuarja në zgjedhje në këto rrethana, kur buxheti përballet me mungesa dhe kur qytetarët përballen me varfëri, është një vendim që mund ta rëndojë edhe më shumë situatën. “Krejt çka po kuptohet është që këta të kenë të ardhura të mira, këta të jenë komod, këta të përfitojnë shumë e më shumë buxhet dhe t'i mbushin apetitet tashmë jo me 51 dhe tash ta synojnë edhe 70 për qind. Më shumë është luftë sa përfitojnë ata vetë sesa jeton qytetari, sepse të shkohet në zgjedhje me një migrim me 40 mijë persona në vit dhe mbyllje të firmave çdo ditë. Këtë mund ta bëjnë vetëm Qeveria Kurti 3. Lutemi qytetarët tashmë të reflektojnë sepse do të jetojnë edhe më varfër dhe përsëri do të shkojnë në zgjedhje, edhe pse do të votohet përsëri, përsëri do të shkojnë në zgjedhje sepse këta nuk dinë të punojnë, këta dinë të shpenzojnë dhe t'i mbushin apetitet e tyre mbi votat që ja jepni ju”, nënvizon Qorrolli. Të enjten në mbrëmje seanca e Kuvendit u ndërpre në mungesë të kuorumit. Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu tha se nuk mund të vazhdohet me votimin, meqë nuk janë prezentë 80 deputetë. Derisa ka njoftuar se menjëherë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. E presidentja Osmani e cila është në muajin e fundit të mandatit ka nxjerr dekret për shpërndarjen e Kuvendit. /KP/