Organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se ka ndjekur nga afër hapat institucionalë që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, përfshirë edhe procedurën për përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas DnV-së, legjislacioni zgjedhor përcakton se pas certifikimit të rezultateve, Vjosa Osmani, në cilësinë e Presidentes së vendit, u kërkon subjekteve parlamentare nominimet për anëtarët e KQZ-së. Këto subjekte kanë një afat të caktuar për dorëzimin e propozimeve, pas së cilës presidentja bën emërimin e anëtarëve. DnV thekson se në këtë moment, kur vendi po përballet me zhvillime që mund të çojnë drejt një procesi të ri zgjedhor dhe kur afati ligjor i 11 marsit për këtë procedurë po afrohet, përmbyllja e procesit të emërimit të përbërjes së re të KQZ-së bëhet edhe më e rëndësishme. Sipas organizatës, legjislacioni aktual nuk parasheh më vazhdimin automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë në rast zgjedhjesh, siç ishte e rregulluar me ligjin e mëparshëm. Për këtë arsye, DnV i bën thirrje presidentes së vendit dhe subjekteve parlamentare që të ndërmarrin dhe përmbyllin pa vonesë hapat e nevojshëm për nominimin dhe emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së. “Çdo proces i mundshëm zgjedhor duhet ta gjejë Kosovën me institucione zgjedhore të konsoliduara, funksionale dhe me mandat të qartë ligjor, në mënyrë që administrimi i zgjedhjeve të mos shoqërohet me dilema për legjitimitetin e tij”, thuhet në reagimin e DnV-së.