Indonezia ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16-vjeç

Indonezia njoftoi se do t'u ndalojë fëmijëve nën moshën 16-vjeç përdorimin e rrjeteve sociale. Ministrja e Komunikimit, Meutya Hafid tha se masa do të hyjë në fuqi më 28 mars dhe se "fëmijët nën 16-vjeç nuk mund të kenë më llogari në platformat digjitale me rrezik të lartë". “Vendimi po merret për të ardhmen e fëmijëve indonezianë", tha Meutya. Me këtë veprim, Indonezia bëhet vendi i dytë që kufizon aksesin e fëmijëve në rrjete sociale pas Australisë, e cila miratoi një ligj të ngjashëm dhjetorin e kaluar që u konsiderua i pari në botë. Sipas ministres Meutya, zbatimi do të ndodhë "gradualisht, duke filluar me platforma të tilla si YouTube, TikTok, Facebook, Instagram, Threads, X, Bigo Live dhe Roblox", duke përmendur kërcënimet në hapësirën digjitale, duke përfshirë pornografinë, ngacmimin kibernetik, mashtrimet online dhe varësinë digjitale. “Ne e kuptojmë që ky hap mund të shkaktojë shqetësim fillestar. Megjithatë, qeveria nuk mund të rrijë duarkryq kur e ardhmja e fëmijëve është në rrezik. Qeveria siguron që përgjegjësia për mbrojtjen e fëmijëve u takon platformave që menaxhojnë hapësirën digjitale, në mënyrë që prindërit të mos përballen vetëm me këto sfida", tha ajo. "Teknologjia duhet ta humanizojë njerëzimin, jo të sakrifikojë fëmijërinë e fëmijëve tanë", shtoi Meutya. /AA/