Trepça fiton dramën ndaj Vëllaznimit

Trepça ka marrë një fitore të rëndësishme në xhiron e 23-të të Superliës së Kosovës në basketboll, duke e mposhtur në fund Vëllaznimin me rezultat 73:69. Skuadra nga Mitrovica e pati të vështirë në pjesën më të madhe të takimit. Vëllaznimi ishte në epërsi gjatë fillimit dhe arriti t’i fitojë tri çerekët e parë, edhe pse me diferencë të vogël. Megjithatë, Trepça reagoi në periudhën e fundit dhe arriti përmbysjen vendimtare për të siguruar fitoren. Lojtari më i dalluar te Trepça ishte Kenny Hasbrouck, i cili e udhëhoqi ekipin drejt triumfit me 16 pikë të realizuara. Në anën tjetër, te skuadra gjakovare u veçua Jericole Hellems, i cili ishte më efikasi në parket për ekipin e tij me 20 pikë. Pas kësaj fitoreje, Trepça vazhdon të mbajë pozitën e parë në tabelë me 43 pikë të grumbulluara, duke konfirmuar edhe një herë formën e mirë në këtë edicion të kampionatit./ Telegrafi /