Profesori universitar në Shqipëri: Rama i ngriti kurth Kurtit me Vjosa Osmanin

Profesori universitar në Shqipëri dhe eksperti i politikës ndërkombëtare Enver Bytyçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke folur për ngërçin kushtetues që lidhet me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Në Euronews Albania, Bytyçi ka përmendur rolin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se ai kishte dhënë një orientim për çështjen e zgjedhjes së presidentit, por sipas tij kjo nuk është përfillur nga Partia Demokratike e Kosovës. Sipas Bytyçit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka parë vizitën e Ramës në Prishtinë si një përpjekje për të lobuar në favor të rizgjedhjes së presidentes Vjosa Osmani. "Zoti Kurti e mori si një lloj kurthi të zotit Rama, dhe të zonjës Osmani. Zoti Rama nuk erdhi për festën e pavarësisë në Prishtinë, erdhi një ditë para për të bërë një favor Osmanit që ta ndihmojë atë të bëhej përsëri presidente", deklaroi Bytyçi. Presidenca reagon sërish: Pretendimet për “puç” janë shpifje, Osmani nuk është pjesë e komploteve politike Ai ka përmendur gjithashtu se pas një takimi mes Ramës dhe Kurtit ishte planifikuar një konferencë e përbashkët për media, e cila sipas tij u anulua për shkak të mospajtimeve lidhur me qëndrimin për kandidimin e Osmanit për një mandat tjetër. “Kurti besoi se Rama erdhi në Prishtinë për të lobuar për Vjosa Osmanin dhe për ta vënë atë përpara një fakti të kryer”, ka deklaruar Bytyçi, duke shtuar se kryeministri i Kosovës nuk pranon ndërhyrje apo presione në vendimmarrjet e tij politike. Ai theksoi se zhvillimet e tilla mund të kenë ndikuar në përfundimin e procesit me refuzimin e kandidaturës së Osmanit për një mandat tjetër. Bytyçi ka komentuar deklaratën publike të Richard Grenell, i cili ka sinjalizuar në një farë mënyre ndryshimin e qeverisë në Kosovë pas këtij ngërçi të ndodhur. Sipas profesorit, Grenell paguhet nga Serbia. “Kur flet Grenell, ka folur Vuçiq, nuk kam asnjë koment tjetër. Në mënyrë kategorike ai paguhet dhe është në borderonë e Beogradit për të lobuar kundër Kosovës dhe pro Serbisë. Kur e kam lexuar, kam menduar se kjo ka ndodhur me një regji të këtyre eksponentëve. Asgjë nuk ndodh rastësisht”, tha Bytyçi.