Sulmohet një punëtor i kompanisë së ndërtimit të rrugëve në Ferizaj, policia identifikon të dyshuarin

Një punëtor i një kompanie të autorizuar për punime në rrugë është sulmuar pasditen e së shtunës në Ferizaj. Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 7 mars 2026 rreth orës 15:30 në rrugën “12 Qershori”. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se punëtori është sulmuar nga një person i dyshuar ndërsa ishte duke kryer punë në rrugë. “Më 07.03.2026, rreth orës 15:30, në rrugën ‘12 Qershori’ është raportuar një rast sulmi. Sipas raportimit, punëtori i një kompanie të autorizuar për punime në rrugë është sulmuar nga një person i dyshuar”, ka deklaruar Veseli. Ai shtoi se menjëherë pas raportimit në vendin e ngjarjes ka dalë patrulla policore, ndërsa viktima është intervistuar nga zyrtarët policorë. “Në vendngjarje ka reaguar patrulla e policisë. Viktima është intervistuar, ndërsa në rast janë angazhuar njësitë hetimore të stacionit policor. Në konsultim me prokurorin e shtetit rasti është iniciuar si vepër penale ‘Sulmi’”, tha ai. Sipas policisë, i dyshuari tashmë është identifikuar dhe është kontaktuar nga autoritetet për t’u intervistuar lidhur me rastin, ndërsa hetimet po vazhdojnë.