Hoxhaj: Interesat shtetërore po sakrifikohen për ego politike

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar për situatën politike në vend, duke paralajmëruar për një krizë të thellë institucionale dhe rrezik për destabilizim të rendit politik. Në një postim në rrjetet sociale, Hoxhaj tha se Kosova po hyn në një fazë të rrezikshme ku institucionet po paralizohen njëra pas tjetrës. “Nëse dikush ka menduar se rënia në kaos nuk ndodh menjëherë, e ka pasur gabim. Vitin e kaluar e mbyllëm pa një Kuvend me funksion të plotë dhe pa një Qeveri me mandat demokratik. Pas dy javësh rrezikojmë të mbetemi edhe pa një President legjitim,” shkroi ai. Hoxhaj theksoi se periudha kur pas zgjedhjeve institucionet ndërtoheshin shpejt tashmë i përket së kaluarës, duke paralajmëruar se vendi po rrezikon të shndërrohet nga një vend me rend në një vend pa rend fare. Ai kritikoi ashpër mënyrën se si po menaxhohet situata politike, duke theksuar se interesat shtetërore po sakrifikohen për llogari politike dhe ambicie personale. “Në një moment kur bota përballet me sfida të mëdha që përcaktojnë fatin e kombeve, qeveria e Kosovës po luan me shtetin, duke sakrifikuar interesin kombëtar për ego të vogla politike,” u shpreh Hoxhaj. Sipas tij, kjo nuk është më thjesht një krizë politike, por një dobësim i rrezikshëm i shtetit, që mund të ndikojë edhe në humbjen e mbështetjes ndërkombëtare. “Historia nuk fal kur një komb humb shansin për të ecur përpara. Nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare, të humbasë vëmendjen e aleatëve dhe mundësitë strategjike për zhvillim dhe integrim,” paralajmëroi Hoxhaj. Ai përfundoi duke theksuar rëndësinë e institucioneve të forta dhe besimit tek partnerët ndërkombëtarë. “Një shtet nuk mund të mbijetojë pa institucione funksionale, pa rend politik dhe pa besim tek aleatët e tij,” shkroi Hoxhaj.