Zyrtare: Ashley Cole trajner i yllit shqiptar në Serie B

Ish-mbrojtësi i Romës, Ashley Cole, është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i skuadrës së Serie B, Cesena, në rolin e tij të parë të madh si trajner kryesor. Mbrëmë ishte raportuar se Cole ndodhej tashmë në Itali për të diskutuar marrëveshjen me pronarët e klubit, ndërsa sot gjithçka është bërë zyrtare. Kontrata e tij do të zgjasë deri më 30 qershor, me opsion rinovimi nëse plotësohen disa kushte të caktuara. Cesena vendosi të shkarkojë Michele Mignanin pas dy sezonesh në detyrë, pas barazimit 2-2 ndaj Frosinones, rezultat që e la ekipin në vendin e tetë në Serie B. 45-vjeçari ka pasur më parë eksperiencë në futbollin italian si lojtar i Romës nga viti 2014 deri në vitin 2016, përpara se të transferohej te LA Galaxy dhe të mbyllte karrierën si futbollist te Derby County në vitin 2019. Para kësaj periudhe, Cole ishte bërë i njohur si mbrojtës i majtë te Arsenal, Crystal Palace dhe Chelsea. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai ka punuar në akademinë e të rinjve te Chelsea, si dhe si ndihmëstrajner për disa trajnerë të njohur, përfshirë Lee Carsley, Frank Lampard dhe Wayne Rooney, kurse tani do ta drejtojë Cristian Shpendin te Cesena. Mbi të gjitha, ai ka bashkëpunuar ngushtë me Carsley dhe aktualisht është ndihmëstrajner te Kombëtarja e Anglisë U21. Stafi i tij te Cesena përbëhet nga ndihmëstrajneri Jack Mesure, trajneri i përgatitjes fizike Giorgio D’Urbano, si dhe Paolo Stringara, Nicola Capellini dhe trajneri i portierëve Federico Agliardi./ Telegrafi