Sëmundja e brucelozës kërcënon blegtorinë në Viti

Fshati Lubishtë i Vitisë po përballet me një situatë shqetësuese për blegtorinë. Në këtë zonë është shfaqur sëmundja e lopëve, e njohur si bruceloza, e cila po ngjall frikë te fermerët dhe banorët e fshatit. Ata thonë se përhapja e saj mund të rrezikojë seriozisht bagëtinë dhe të ardhurat e familjeve që varen nga blegtoria. Fermeri Xhevxhet Ferizi nga Lubishta është njëri prej fermerëve në Komunën e Vitisë të cilit i janë infektuar 12 krerë lopë, nga 60 sa ka gjithsej në fermën e tij. Ferizi thotë se është i rrezikuar, pasi tuberkuloza dhe bruceloza janë sëmundje të transmetueshme, ndërsa vetëm ai hyn në stallë për t’i ushqyer bagëtinë. Ndërkaq, zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Vitisë thonë se janë të informuar për infektimin e gjedhëve. “Kjo çështje mbetet shqetësuese jo vetëm për fermerët, por edhe për familjet e tyre”, thotë drejtori për Bujqësi, Naim Piraj. Ai shton se kjo sëmundje është e transmetueshme dhe se familjet e fermerëve janë gjithashtu të shqetësuara. Sipas tij, përveç rrezikut shëndetësor, fermerët po përballen edhe me kosto të larta financiare, pasi inspektorati ka vendosur që gjedhët e infektuara të asgjësohen. Derisa të caktohet kompania fituese për asgjësimin e gjedhëve përmes tenderit, nuk dihet edhe sa krerë të tjerë mund të infektohen, thonë fermerët./RTK