Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka avancuar ndjeshëm në digjitalizimin e shërbimeve për tatimpaguesit, duke mundësuar që shumica e procedurave tatimore të kryhen në mënyrë elektronike. Kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, në “Përballje Podcast”, ku theksoi se aktualisht institucioni ofron dhjetëra shërbime elektronike për bizneset dhe qytetarët. “Ne kemi diku rreth 59 shërbime elektronike që i ofrojmë për tatimpaguesit. Sot rreth 3.7 milionë deklarime bëhen në ATK dhe të gjitha janë elektronike”, tha Hyseni shkruan Telegrafi. Sipas tij, përmes këtyre platformave digjitale, tatimpaguesit mund të kryejnë deklarimet dhe pagesat pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në institucion. Hyseni: Bizneset që nuk paguajnë tatime dëmtojnë konkurrencën “Nuk ka nevojë të vijnë në ATK për të bërë deklarime, siç ka qenë më herët me dokumente në letër. Të gjitha tash bëhen në mënyrë elektronike”, theksoi ai. Hyseni shtoi se digjitalizimi i proceseve është një nga prioritetet e institucionit, me synimin për të lehtësuar procedurat për bizneset dhe për të rritur efikasitetin e administratës tatimore. “Qëllimi ynë është që gjatë këtij viti këto 59 shërbime t’i rrisim në rreth 64 shërbime elektronike”, deklaroi ai. - YouTube www.youtube.com Sipas tij, ky proces i digjitalizimit pritet të lehtësojë ndjeshëm komunikimin mes ATK-së dhe tatimpaguesve, duke thjeshtuar procedurat administrative për bizneset në Kosovë./Telegrafi/.