Një person ka humbur jetën ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Gjakovë. Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj. Sipas tij, rreth orës 05:30 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, ku dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar. “Rreth orës 05:30 jemi njoftuar se në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’ në Gjakovë dy persona meshkuj, të moshës madhore, janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor”, ka deklaruar Elezaj. Ai bëri të ditur se personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor. “Personi tjetër i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor. Njësitë përkatëse policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe është njoftuar prokurori i shtetit, i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes”, tha Elezaj për Telegrafin. Sipas tij, policia aktualisht është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për arrestimin e të dyshuarit dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. “Po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, përfundoi ai. /Telegrafi/