Vrasja në Gjakovë, viktima është xhaxhai i Elijona Binakaj

Krismat e armëve të zjarrit kanë alarmuar mëngjesin e sotëm qytetin e Gjakovës, ku një person ka mbetur i vrarë ndërsa një tjetër është plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”. Sipas të dhënave fillestare, viktima është Rasim Binakaj, 38-vjeçar, i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri. Si i dyshuar për këtë rast përmendet N.Z., pronari i lokalit “My Place”. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në incident dhe, pas ngjarjes, është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i Rasim Binakajt është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit, ndërsa policia është vënë në kërkim të të dyshuarit Nexhdet Zymberaj. Ndërkohë, viktima. Rasim Binakaj. raportohet të jetë xhaxhai i Elijona Binakaj, ish-finalistes së Big Brother VIP Kosova 4. Lajmi ka tërhequr vëmendje edhe në rrjetet sociale, pasi Elijona u bë e njohur për publikun gjatë pjesëmarrjes së saj në reality show-n e njohur, ku arriti deri në finale dhe fitoi një numër të madh ndjekësish. Deri më tani, Elijona Binakaj nuk ka bërë ende ndonjë reagim publik lidhur me ngjarjen e rëndë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, 38-vjeçari ka marrë plagë vdekjeprurëse, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe vëllai i tij. /Telegrafi/