Rita Ora tërheq vëmendjen në festën e Oscars me kapelen gjigante me pupla

Rita Ora tërhoqi vëmendjen në festën e Vanity Fair pas Oscars me një paraqitje të pazakontë dhe plot humor. Këngëtarja shqiptare u shfaq në eventin e mbajtur në Muzeun e Artit të Qarkut të Los Angeles me një kapelë gjigante të mbuluar me mijëra pupla të zeza, aq e madhe sa pothuajse i pengonte shikimin. Ajo e kombinoi këtë aksesor me një fustan transparent me korse nga koleksioni Couture SS26 i stilistes Tamara Ralph, i zbukuruar me motive lulesh dhe gurë të çmuar, ndërsa fundi prej sateni formonte një bisht dramatik. Megjithëse pamja e saj ishte shumë elegante dhe tërheqëse, Rita nuk hezitoi të tallej me kapelen e saj ekstravagante. Duke folur në tapetin e kuq, ajo bëri shaka se dukej si një llambë dhe tha me humor se mund të “sillet si pjesë e mobiljeve” brenda festës. Megjithatë, këngëtarja u detyrua ta hiqte kapelen pak pasi hyri në event, pasi madhësia e saj e madhe e bënte të vështirë të lëvizte dhe të bisedonte me të ftuarit e tjerë. Më pas ajo u pa duke e mbajtur kapelen në dorë ndërsa bisedonte me yje të njohur si Chris Evans dhe Kris Jenner. Pavarësisht kësaj, paraqitja e saj u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, ku fansat e vlerësuan për stilin e guximshëm dhe për mënyrën plot humor me të cilën e trajtoi pamjen e saj në një nga festat më të rëndësishme të natës së Oscars. /Telegrafi/