Sulmuesi i talentuar kosovar Endrit Bejic po vazhdon të ndërtojë me hapa të sigurt karrierën e tij në futbollin zviceran. I lindur dhe rritur në Bern, ai është pjesë e ekipit U21 të Young Boysit, një prej klubeve më të mëdha në Zvicër, ku po përpiqet të tregojë potencialin e tij dhe të afrohet gjithnjë e më shumë me ekipin e parë. Me gjatësi 1.94 metra dhe profil tipik të një sulmuesi qendror modern, Bejic shquhet për shpejtësinë, teknikën dhe aftësinë për të qenë i rrezikshëm para portës. Pas një periudhe të vështirë me lëndime që e mbajtën jashtë fushës për një kohë të gjatë, ai është rikthyer më i fortë dhe po zhvillon një sezon pozitiv me ekipin e dytë të Young Boys. 20-vjeçari këtë edicion ka shënuar katër gola me Young Boysin në Promotion Ligë. Në një intervistë për Telegrafin, Bejic flet për rrugëtimin e tij në futboll, mbështetjen e familjes, objektivat me klubin nga Berni, ëndrrën për të debutuar në stadiumin “Wankdorf” dhe dëshirën për të përfaqësuar një ditë edhe Kombëtaren e Kosovës. Si ka filluar rrugëtimi yt në futboll dhe si përfundove në akademinë e gjigantit zviceran Young Boys Bern? Bejic: Dikund në moshën 5-vjeçare nisa rrugëtimin tim në futboll me stërvitje në një ekip të regjionit “FC Bethlehem”. Pas 3 viteve kam shkuar në klubin e qytetit “FC Bern”, prej aty u propozova nga trajneri im për seleksionim te BSC Young Boys. BSC Young Boys e ka ekipin e parë U12, d.m.th. dy vite (U10 & U11) duhet të qëndrosh i palëkundur, ku brenda dy viteve mbi qindra lojtarë marrin pjesë dhe pastaj përzgjidhen vetëm 12 futbollistë dhe dy portierë për ekipin U12. Aty kisha fatin të përzgjidhem në U12 dhe ashtu arrita te BSC Young Boys. Kush ka qenë personi që të ka ndihmuar më shumë në zhvillimin tënd si futbollist? Bejic: Unë jam me fat që e kam familjen që më përkrah, por edhe babin, që më ka mbështetur në çdo hap. Edhe pas stërvitjeve të klubit ku isha, prapë me babin kemi ushtruar privat, gjë që e bëjmë shpesh herë edhe sot. Ka qenë gjithmonë shumë kritik pas lojëve dhe stërvitjeve. Gjithmonë më ka thënë realitetin dhe unë mundohem të përmirësohem aty ku kam pasur nevojë. Por jam edhe mirënjohës ndaj të gjithë trajnerëve të cilët më kanë falë besimin dhe më kanë dhënë minutat e lojës që unë t’i tregoja cilësitë e mia. Nuk ka qenë gjithmonë lehtë, por duhet të jesh i fortë edhe mentalisht. Në një periudhë kaq të gjatë ka ngritje, por edhe rënie. Si sulmues qendror, cilat mendon se janë cilësitë e tua më të forta? Bejic: Më thuhet çdo herë që edhe pse jam i gjatë nuk e kam humbur shpejtësinë, po as teknikën, të cilën e cilësoj si një prej forcave të mia. Në 16-sh jam i gatshëm të gjuaj në portë pa menduar gjatë, si dhe gjuaj me të dy këmbët. Lëvizjet i kam me cilësi dhe jam i qetë para portës. Njëkohësisht, me gjatësinë time mund të përfitoj edhe në duele ajrore, por edhe në tokë. Je i gjatë 1.94, sa të jep gjatësia jote përparësi sidomos në duelet ajrore? Bejic: Kuptohet që gjatësia ime është shumë e rëndësishme dhe më ndihmon shumë, edhe pse në kohët e sotme edhe mbrojtësit janë zakonisht të gjatë dhe na e vështirësojnë gjendjen, por duhet çdoherë me dhënë maksimumin. Si po ecën sezoni te skuadra e dytë e Young Boysit, ke shënuar disa gola të rëndësishëm? Bejic: Sezoni është duke ecur shumë mirë. E kemi një ekip jashtëzakonisht të fortë me shumë kualitet, jemi më mirë se ndonjëherë më parë dhe ndër ekipet më të forta të U21 në Zvicër. Në pjesën e parë të sezonit 2025/2026 kisha më pak minuta loje për shkak se lojtarët e ekipit të parë, kur zbresin në ekipin e dytë, kanë përparësi loje. Tash kanë ndryshuar disa gjëra dhe tani në lojët e pjesës së dytë të kampionatit kam qenë titullar dhe kam shënuar disa herë, si dhe kam qenë pjesëmarrës në disa nga golat e shënuar. A është objektivi yt të debutosh me ekipin e parë të BSC Young Boys? Bejic: Gjithsesi është një nga objektivat e mi kryesorë të debutoj me ekipin e parë, pasi që jam lindur, rritur dhe zhvilluar në qytetin e Bernit. Shpresoj dhe besoj që ky moment të jetë sa më afër. Kjo ëndërr ka qenë gjithmonë një pikë të cilën kam pasur dëshirën ta arrij një ditë. Me luajt në stadiumin “Wankdorf” në Bern para mbi 30 mijë shikuesve ka qenë gjithmonë një ëndërr dhe shpresoj që një ditë ta bëj këtë ëndërr realitet. Në cilat liga të mëdha evropiane do të doje të luaje në të ardhmen? Bejic: Besoj që kjo është një pyetje e ëndrrave. Si zakonisht është ëndërr e çdo lojtari ta ketë mundësinë për të luajtur në një nga ligat më të mëdha në botë siç janë Liga Premier , Bundesliga, Serie A, La Liga etj. Tani për tani është fokusi im t’i bëj hapat e parë te Young Boys dhe pastaj do të shoh tutje. Por prapë besoj që është më rëndësi të shkoj “hap pas hapi” dhe mos me u ngut. Çfarëdo që vjen në të ardhmen do ta shoh dhe do të punoj sa më shumë për t’i arritur qëllimet e mia. Por e di se nuk është aspak një rrugëtim i lehtë dhe duhet shumë punë, durim dhe disiplinë. Më parë ke qenë pjesë e një kampi seleksionues nga Shqipëria, por pastaj pësove një lëndim? Bejic: Në vitin 2023 kisha një sezon mjaft të mirë, ku shënova më tepër se 16 gola dhe më erdhi ftesa nga FFSH-ja. Edhe aty shkoi puna mirë, shënova dy gola në një lojë miqësore, e cila u zhvillua në Tiranë në dhjetor 2023. Deri në atë moment nuk kam pasur eksperienca me lëndime, por në vitin 2024 pësova një lëndim i cili më ka mbajtur jashtë fushës për një kohë të gjatë – më të gjatë se që kam menduar. Në muajin shkurt të vitit 2024 pësova një frakturë në këmbë dhe ai lëndim më mbajti jashtë fushës për 3 muaj – dhe për mua aty përfundoi sezoni. Pas pushimeve verore u riktheva prapë në fushë dhe në javën e dytë të përgatitjeve ndodhi prapë. Pësova prapë lëndimin e njëjtë dhe u detyrova t’i nënshtrohem operacionit të dytë dhe të bëj një pauzë 5-mujore deri në dhjetor 2024. Ka qenë një periudhë me shumë sfida dhe një kohë e vështirë, por në fund besoj që ka qenë një kohë në të cilën kam mësuar shumë gjëra dhe kam pasur kohën të zhvillohem në pjesën mentale. Gjithsej isha afër një viti jashtë fushës së gjelbër. Që nga atëherë jam rikthyer më i fortë dhe nuk kam pasur asnjë lëndim. Nga aty eci puna mirë në fushë dhe pas 4 muajve BSC Young Boys më ofroi një kontratë, të cilën e pranova me shumë dëshirë. Pasi ke prejardhje nga Kosova, a është Kombëtarja e Kosovës, qoftë U21 qoftë ajo A, objektivi jot për të luajtur? Bejic: Siç e ceka edhe më herët, unë jam lindur, rritur dhe zhvilluar në Bern, por pushimet çdoherë i kemi bërë në Kosovë dhe Shqipëri. Unë kur vij në Kosovë, në Prishtinë, ndihem sikur të isha lindur dhe rritur atje. Trajnerëve Ardian Sallahu dhe Visar Zogiani, të cilët më mbajnë në formën time më të mirë edhe gjatë pushimeve, u falënderohem shumë. Aty kisha edhe rastin t’i takoj disa nga lojtarët e Kombëtares së Kosovës dhe kemi kaluar kohë shumë të mirë. Një ftesë nga Kombëtarja e Kosovës do t’i përgjigjesha me shumë dëshirë dhe respekt. /Telegrafi/