Jetëgjatësia më e lartë, në jug të vendit. Eurostat raporton se gratë në Shqipëri jetojnë mesatarisht 82.5 vite, ose rreth 4 vite më shumë sesa burrat. Jetëgjatësia më e lartë e popullsisë shqiptare është në jug, ndërsa më e ulëta në veri. Jetëgjatësia e shqiptarëve është më e lartë në zonat jugore dhe ato qendrore. Sipas Eurostat, në zonat jugore të Shqipërisë ajo arrin në 80.77 vite, me një diferencë shumë të ngushtë prej 80.74 vite në zonat qendrore. Ndërsa përsa i përket veriut, jetëgjatësia është më e ulët, përkatësisht 79.2 vite. Përsa i përket diferencave gjinore, gratë shqiptare jetojnë mesatarisht 82.5 vite, ndërsa burrat 78.6 vite. Mesatarja e jetëgjatësisë së shqiptarëve është 80.5 vite, ose gati 1 vit më e ulët sesa mesatarja europiane, e cila llogaritet të jetë 81.5 vite. Jetëgjatësia në Europë u ul në vitin 2020 (80.4 vite) dhe 2021 (80.1 vite) për shkak të pandemisë COVID-19, por që atëherë është rikuperuar dhe ka arritur vlera më të larta se në vitin 2019, kur ishte 81.3 vite. Në nivel rajonal, 4 rajone arritën jetëgjatësinë prej 85 vite ose më shumë: rajoni spanjoll i Madridit (85.7 vite), rajonet italiane të Trentos dhe Bolzanos, si dhe kryeqyteti suedez, Stokholm (85.0 vite)./Tv Klan