Gjykimi për krime lufte ndaj Veljoviq zhvillohet në mungesë, gjykata i bën thirrje për dorëzim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar seancat e shqyrtimit gjyqësor në rastin kundër të akuzuarit për krime lufte, Grujica Veljoviq. Sipas njoftimit të gjykatës, gjykimi pritet të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit, pasi ai vazhdon të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë. Në komunikatën për media thuhet se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka caktuar seancat e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale PS.nr.109/24, e cila lidhet me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kundër Veljoviqit. Ai akuzohet për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile, sipas nenit 142 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, vepër që aktualisht është e inkriminuar si krime kundër njerëzimit në Kodin Penal të Kosovës. Sipas gjykatës, bazuar në propozimin e Prokurorisë Speciale, procesi gjyqësor do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit, për shkak se vendbanimi i tij është i panjohur dhe ai nuk është arritur nga organet e drejtësisë. Gjykata njëkohësisht i ka bërë thirrje Veljoviqit që të paraqitet dhe të dorëzohet para organeve të ndjekjes në Kosovë. Po ashtu, u është bërë thirrje edhe qytetarëve që posedojnë informacione për vendndodhjen e tij që t’i njoftojnë Policia e Kosovës ose institucionet tjera kompetente. Seancat e shqyrtimit gjyqësor do të mbahen më 29 dhe 30 prill 2026, me fillim nga ora 09:30, në sallën D17 të Pallatit të Drejtësisë në Hajvali. Seancat do të udhëhiqen nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kushtrim Shyti.