Akademia e Paris Saint-Germain po fillon të japë gjithnjë e më shumë fryte nën drejtimin e trajnerit Luis Enrique. Talente të shumta të reja nga akademia po fitojnë minuta në ekipin e parë, ndërsa skuadra e të rinjve po shkëlqen edhe në UEFA Youth League. Klubi parisien ka investuar rreth 350 milionë euro për ndërtimin e kompleksit modern stërvitor në Poissy Training Center, ku trajneri Luis Enrique dhe këshilltari sportiv Luis Campos ndjekin nga afër zhvillimin e talenteve të rinj. Rreth 200 lojtarë të rinj jetojnë dhe stërviten në këtë qendër, që është bërë një nga bazat kryesore për të ardhmen e klubit. Rezultatet tashmë po shihen edhe në ekipin e parë. Mesfushori Warren Zaire‑Emery është një nga shembujt më të mirë të suksesit të akademisë. Vetëm 20 vjeç, ai ka regjistruar 41 paraqitje këtë sezon, duke qenë një nga lojtarët më të përdorur të ekipit dhe një nga debutuesit më të rinj në historinë e Francës, kur u aktivizua në moshën 17 vjeç e tetë muaj. Një tjetër talent që ka përfituar nga besimi i Luis Enriques është Senny Mayulu, i cili ka luajtur 34 ndeshje sezonin e kaluar dhe 30 këtë sezon. Ndërkohë, të rinjtë Ndjantou dhe Mbaye, të dy 18-vjeçarë, kanë marrë gjithashtu minuta të rëndësishme, duke u aktivizuar në më shumë se 20 ndeshje gjatë këtij sezoni. Presidenti i klubit, Nasser Al‑Khelaifi, e ka bërë të qartë strategjinë e klubit për të ardhmen, pas shumë shpenzimeve në super yje. “E ardhmja e PSG-së nuk do të blihet, ajo do të vijë nga akademia jonë”, ka deklaruar ai. Suksesi i kësaj strategjie shihet edhe te skuadra e të rinjve. PSG U19 po zhvillon një sezon shumë pozitiv në UEFA Youth League, duke arritur sërish në çerekfinale. Ekipi ka regjistruar pesë fitore, dy barazime dhe një humbje, me një golavarazh mbresëlënës prej 27 golash të shënuar dhe 9 të pësuar. Skuadra luan me të njëjtën filozofi si ekipi i parë: formacion 4-3-3, presion të lartë dhe ritëm intensiv, stil që është bërë karakteristikë e Luis Enriques. Në mesin e talenteve më premtuese të akademisë përmendet mesfushori Aymen Assab, i cili vlerësohet shumë nga Luis Campos dhe Luis Enrique dhe shihet nga tifozët si “Vitinha i ardhshëm”, duke iu referuar mesfushorit të ekipit të parë Vitinha. Ndërkohë, anësori Adam Ayari ka spikatur në Coupe Gambardella, duke realizuar dy he-trik dhe një dygolësh në këtë garë. PSG vazhdon të jetë gjithashtu një nga furnizuesit kryesorë të talenteve për ekipet kombëtare të moshave në Francë. Aktualisht 21 lojtarë të akademisë janë të përfshirë në grumbullimet e ekipeve të të rinjve në qendrën kombëtare Clairefontaine. /Telegrafi/