Me fitoren në ndeshjen e parë të fazës së tretë të kampionatit, Rabotniçki është rikthyer fuqishëm në garën për mbijetesë në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Skuadra nga Shkupi arriti të fitojë në udhëtim ndaj Bashkimit në Kumanovë me rezultat 1-2 (0-1), një humbje që rrallë kush e priste për vendasit, duke pasur parasysh formën e tyre këtë sezon. Njëkohësisht kjo ishte edhe një lloj revanshi për humbjen që Rabotniçki kishte pësuar ndaj Bashkimit në stadiumin “Todor Proeski” gjatë pjesës vjeshtore të kampionatit, njofton Telegrafi. Nën drejtimin e trajnerit Muarem Muarem, Rabotniçki po duket si një skuadër krejt tjetër dhe me një qasje shumë më serioze hyri edhe në përballjen e javës së 23-të në Kumanovë. Edhe pse vendasit rrezikuan të parët, mysafirët kaluan në epërsi që në rastin e parë serioz. Suhel Muarem në minutën e 11-të shfrytëzoi një gabim në vendosjen e mbrojtjes kundërshtare, doli i vetëm përballë portierit dhe shënoi për avantazhin 0-1 të Rabotniçkit. Pjesa e dytë nisi me Bashkimin që mundohej më shumë të rrezikonte, por pa arritur të konkretizojë. Rabotniçki nuk arriti të shfrytëzojë kundërsulmet, edhe pse pati disa situata premtuese. Në minutën e 72-të mysafirët realizuan aksionin të bukur të ndeshjes. Suhel Muaremi depërtoi nga krahu i majtë, asistoi për Talakovin, i cili me goditje të menjëhershme dyfishoi epërsinë në 0-2. Deri në fund të ndeshjes Bashkimi arriti vetëm të zbusë rezultatin, kur Aleksovski realizoi në minutën e 79-të për rezultatin përfundimtar 1-2. Me këtë fitore Rabotniçki arrin në kuotën e 19 pikëve dhe afrohet në katër pikë larg zonës së balotazhit për mbijetesë. Bashkimi mbetet me 32 pikë dhe ende nuk është plotësisht i sigurt në mesin e tabelës. Ndërkohë, në duelin tjetër të kësaj jave, Pelisteri dhe Sileksi ndanë pikët pas barazimit pa gola 0-0. /Telegrafi/ Standings provided by Sofascore