Tahiri viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: E vërteta do të dalë në dritë

Shefi i grupit parlamentar të Partia Demokratike e Kosovës, Arjan Tahiri, ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët ndodhen në paraburgim. Në një postim në Facebook, Tahiri përshkruan vizitën si një moment të rëndë dhe emocional. Ai tha se takimi me Thaçin dhe Veselin, figura që sipas tij udhëhoqën vendin në momentet më të vështira të rrugëtimit për liri, e ka prekur thellë në shpirt. “T’i shohësh sot prapa mureve të burgut, larg familjeve dhe vendit për të cilin sakrifikuan gjithçka, të prek thellë në shpirt. Kosova nuk harron. E vërteta dhe drejtësia do të dalin në dritë”, shkroi Tahiri, duke vlerësuar dinjitetin dhe besimin e tyre, edhe në këto rrethana të vështira. Tahiri shtoi se historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me sakrificën e ish-udhëheqësve, dhe se qëndrimi i tyre mbetet i pathyeshëm. Ky takim vjen në një kohë kur ish-udhëheqësit përballen me procese gjyqësore në Hagë për çështje të rënda, duke e bërë vizitën e Tahirit një mesazh simbolik për mbështetjen politike dhe morale ndaj tyre./Telegrafi.