“Kosova ka ekip të mirë, duhet të jemi të përgjegjshëm” - Dubravka flet për ndeshjen e play-offit ndaj dardanëve

Portieri i Sllovakisë, Martin Dubravka, regjistroi fundjavën e kaluar ndeshjen e 50-të në Ligën Premier pa pranuar gol, duke mbajtur portën e paprekur në përballjen mes Burnley dhe Bournemouth. Edhe pse Burnley ka pësuar më së shumti gola këtë sezon në Ligën Premier, 58 në 30 ndeshje, në këtë sfidë nuk pësoi asnjë. Ekipi i tij renditet në vendin e parafundit me 20 pikë, nëntë më pak se West Ham, por Dubravka mbetet optimist për të ardhmen. Në një intervistë për faqen zyrtare të federatës sllovake, portieri foli edhe për sfidën e 26 marsit ndaj Kosovës: “Natyrisht, tashmë njërin sy e kam tek ekipi përfaqësuese. Mezi e pres ndeshjen dhe bashkimin me ekipin. Kemi mundësi të madhe për kualifikim në Kupën e Botës, kështu që kemi për çka të luajmë. Avantazhi ynë është që luajmë në shtëpi". "Do të jetë ndeshje interesante për spektatorët dhe besoj se me përkrahjen e tyre do të jemi në gjendje ta përballojmë testin e parë. Kosova ka ekip të mirë dhe lojtarë kualitativë, kështu që duhet t’i qasemi ndeshjes me përgjegjësi”, deklaroi 'gardiani' sllovak. Dubravka ka pasur karrierë të gjatë në Ligën Premier, duke luajtur më parë për Newcastle United dhe Manchester United, me gjithsej 192 paraqitje. Për ekipin kombëtar të Sllovakisë, portieri i ka regjistruar 59 ndeshje. /Telegrafi/