Dembele paralajmëron se PSG do të kërkojë kontroll edhe në 'Stamford Bridge', pavarësisht epërsisë me tre gola

Pas fitores spektakolare 5-2 ndaj Chelseat në ndeshjen e parë të 1/16-ës së Ligës së Kampionëve në ‘Parc des Princes’, sulmuesi i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembele, paralajmëroi se ekipi do të shkojë për fitore edhe në ndeshjen e kthimit në ‘Stamford Bridge’. “Ne duhet të vuajmë në Ligën e Kampionëve për të fituar. Kjo është pjesë e lojës sepse përballë kemi lojtarë dhe ekipe cilësore”, ka thënë fillimisht Dembele. Ai shtoi se kjo konkurrencë nuk është e lehtë. “Sezonin e kaluar vuajtëm ndaj Aston Villa, Arsenal dhe Liverpool. Ka momente kur kemi qenë shumë të fortë, dhe të tjera ku kemi pasur vështirësi”. Megjithatë, francezi theksoi: “Kemi një avantazh prej tre golash, por duam të afirmohemi këtë të martë. Nuk do të mbrojmë vetëm në metrat e fundit të fushës”. Dembele gjithashtu komentoi mbi performancën e tij personale. “Të shënoj dhe të jap asistime më motivon çdo ndeshje. Tani dua edhe më shumë të fitoj tituj të rinj, si Ligën e Kampionëve me PSG. Ky është një vit i veçantë për shkak të Kupës së Botës, momentet e mëdha po vijnë dhe unë duhet të jap maksimumin”, përfundoi Dembele. /Telegrafi/