Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se e mirëpret marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe BE-së për zbatimin e Ligjit për të Huajt. Përmes një postimi në “X”, ai ka thënë se mirëpresin angazhimin e kryeministrit Albin Kurti për ta zbatuar Ligjin dhe planet e tjera që prekin komunitetin serb në Kosovë, në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin. “Mbretëria e Bashkuar e mirëpret marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe BE-së për zbatimin e Ligjit për të Huajt. Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, ndërkohë që ofron zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë pa ndërprerje të shërbimeve. Ne mirëpresim angazhimin e Kryeministrit Kurti për ta zbatuar ligjin dhe planet e tjera të ardhshme që prekin komunitetin serb në Kosovë, në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”- thuhet në postimin e tij. Lidhur me ketë çështje ka reaguar edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Qeverinë gjermane, Michael Reiffenstuel. Ai ka thënë se mirëpresim dhe mbështesim plotësisht përpjekjet për të shfrytëzuar momentumin e ri në dialog për të zbatuar plotësisht marrëveshjet e Brukselit/Ohrit.