Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar vitin 2025 me shpenzime rekord, që arrijnë në 4 milionë e 509 mijë euro, sipas raportit financiar të publikuar së fundmi. Të hyrat e deklaruara të partisë për të njëjtin vit arrijnë në 2 milionë e 185 mijë euro, ndërsa shpenzimet totale kanë kapur shumën prej 4 milionë e 509 mijë eurosh. Kjo rezulton me një deficit prej 2 milionë e 323 mijë eurosh. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shifre është dedikuar për paga dhe kompensime të tjera, që në total arrijnë në 929 mijë euro. Për transport janë shpenzuar 132 mijë euro, ndërsa për reklama, reprezentacion dhe konferenca janë ndarë edhe 297 mijë euro të tjera. Mediat dhe përfituesit kryesorë Sipas raportit financiar, Grupi "Koha" renditet si përfituesi kryesor në fushën e mediave, duke arkëtuar plot 95,120 euro nga Vetëvendosje. Kjo vlerë është dukshëm më e lartë krahasuar me fondet e destinuara për mediat e tjera. Në mesin e përfituesve përmenden edhe platforma të tjera: Kosovanews, me 13,770 euro; Katror Media and Publicity SH.P.K., me 20,650 euro; Radiotelevizioni i Kosovës, me 11,530 euro; Media Invest SH.P.K., me 6,000 euro; Telegrafi, me 5,000 euro. Shpenzimet në rrjetet sociale Vetëvendosje ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për promovime në rrjetet sociale. Për profilat zyrtare në Facebook dhe Instagram, partia ka harxhuar 48,168.50 euro, duke përfshirë edhe angazhimin e profileve të rreme për promovime të veçanta. Eventet dhe mikpritjet Dokumenti i publikuar tregon gjithashtu një mori shpenzimesh për evente dhe mikpritje. Takimi i kryeministrit Albin Kurti me të rinjtë në Gate Club ka kushtuar 14,460 euro. Shpenzime të mëdha janë regjistruar edhe për: Helix Events SH.P.K., me 11,540 euro, Hotel Emerald SH.P.K., me 10,989 euro. Shpenzimet e partive të tjera Partia Demokratike e Kosovës, 2 milionë e 166 mijë euro; Lidhja Demokratike e Kosovës, 1 milion e 335 mijë euro; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 531 mijë euro. Kjo situatë tregon një diferencë të ndjeshme mes Vetëvendosjes dhe të tjerëve, duke evidentuar një fokus të madh të partisë në shpenzime për paga, promovime mediatike dhe evente publike.