Automjetet elektrike po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, por shumë pasagjerë ankohen për marramendje dhe të përziera gjatë udhëtimit. Studiuesit thonë se arsyeja lidhet me mënyrën se si truri ynë e interpreton lëvizjen Automjetet elektrike po pushtojnë gjithnjë e më shpejt tregun. Në Bashkimin Evropian ato tashmë përbëjnë rreth 17 për qind të shitjeve të makinave të reja . Megjithatë, përveç përparësive si zhurma më e ulët dhe ndotja më e vogël, po shfaqet edhe një fenomen për të cilin flitet gjithnjë e më shumë: shumë pasagjerë ndihen më shpesh keq në makinat elektrike sesa në ato me benzinë apo naftë. Rrjetet sociale janë plot me përvoja të tilla, ndërsa studimet shkencore tregojnë se nuk bëhet fjalë për përshtypje subjektive, por për një reaksion real fiziologjik . Truri mbetet pa sinjalet me të cilat është mësuar Çelësi i këtij problemi qëndron në mënyrën se si truri e interpreton lëvizjen. Për dekada të tëra njerëzit janë udhëtuar me makina me motor me djegie të brendshme , duke u mësuar me tingujt, vibrimet dhe rritjen e zhurmës së motorit. Këto sinjale shërbejnë si paralajmërim për përshpejtimin, ngadalësimin ose ndryshimin e ritmit të lëvizjes. Në automjetet elektrike ato janë shumë më të dobëta ose mungojnë fare, ndaj truri mbetet pa sinjalet me të cilat është mësuar, transmeton Telegrafi. Përshpejtimi i qetë dhe frenimi regjenerativ e ngatërrojnë trupin Automjetet elektrike përshpejtojnë pothuajse menjëherë dhe shumë qetë, pa rritjen graduale të zhurmës që jep një motor tradicional. Në të njëjtën kohë, frenimi regjenerativ krijon ngadalësime të gjata dhe të buta. Studimet e publikuara në vitin 2024 tregojnë se pikërisht këto ngadalësime të zgjatura janë një nga shkaktarët kryesorë të të përzierave. Trupi ndjen forcën e frenimit, por nuk merr një sinjal të qartë se ajo po vjen. Vibrimet dhe ekranet e përkeqësojnë situatën Edhe pse makinat elektrike konsiderohen më të buta në lëvizje, disa modele vibrimesh, sidomos në shpejtësi të ulët dhe në trafikun urban, mund të lidhen më shpesh me ndjenjën e të përzierave. Situata përkeqësohet edhe më shumë kur pasagjerët shikojnë telefonin ose ekrani multimedial i makinës. Në atë moment krijohet një konflikt mes informacionit që merr syri dhe sinjaleve nga veshi i brendshëm, gjë që është një nga shkaqet klasike të marramendjes dhe të përzierave. Pse shoferët rrallë përballen me këtë problem Është interesante se shoferët shumë rrallë ndihen keq gjatë drejtimit. Arsyeja është e thjeshtë: ata e dinë çfarë do të ndodhë më pas . Parashikimi i lëvizjes është një faktor i rëndësishëm për të shmangur të përzierat. Pasagjerët, veçanërisht ata që ulen në sediljet e pasme, nuk kanë këtë informacion dhe për këtë arsye janë më të ndjeshëm. Si po përpiqen prodhuesit ta zgjidhin problemin Industria automobilistike dhe studiuesit tashmë po kërkojnë zgjidhje. Eksperimentet përfshijnë ndriçim ambiental që ndjek përshpejtimin dhe frenimin , sinjale të lehta zanore ose vibrime të buta që paralajmërojnë ndryshimet në lëvizje. Qëllimi është që truri të mësojë gradualisht rregullat e reja të lëvizjes dhe të marrë zëvendësues për sinjalet me të cilat është mësuar për dekada. Të përzierat në makinat elektrike nuk konsiderohen një problem i teknologjisë, por më tepër një fazë përshtatjeje . Me kalimin e kohës, ndërsa trupi dhe truri mësohen me këtë mënyrë të re udhëtimi, pritet që edhe ky fenomen të bëhet më i rrallë. Megjithatë, është e qartë se e ardhmja elektrike e transportit nuk sjell vetëm qetësi dhe më pak ndotje, por edhe sfida të reja për shqisat e njeriut . /Telegrafi/