Gërvalla kritikon Ramën për artikullin me Vuçiqin: Qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me një editorial të përbashkët që ai ka publikuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në gazetën gjermane FAZ. Ajo tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur këtë artikull kryeministrit Rama. Ndërsa shtoi se nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. “Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundit i publikuar së bashku me Vuçiqin në gazetën prestigjioze gjermane. Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë". "Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë” – tha ajo në RTK. Kjo deklaratë e Gërvallës vjen pas një editoriali të përbashkët të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Sipas saj, problem i artikullit është propozimi që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian. “Problemi i artikullit nuk është pse Rama me Vuçiqin shkruajnë një artikull të përbashkët, por problem i atij artikulli është që propozimi është që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian, duke mos përmendur në asnjë rrokje të vetme, pozicionin që ka Serbia në raport me Perëndimin, Rusinë, Kinën, Venezuelën, Iranin dhe forcat botërore që bien ndesh në çdo aspekt me përcaktimet tona për BE dhe NATO por edhe me përcaktimet e Shqipërisë”- ka thënë ajo. Gërvalla në këtë intervistë ka folur edhe për bllokadën lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ajo tha se rreth kësaj çështjeje ka vetëm një të vërtetë dhe e vërteta është që nuk ka pasur vota për presidenten Vjosa Osmani në Kuvend të Kosovës. Gjykata Kushtetuese më 09.03.2026 ka vendosur masë të përkohshme, duke ndaluar çdo veprim të presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me dekretin e saj të datës 06.03.2026 për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, si dhe ndalon çdo veprim të Kuvendit të Kosovës. Ky vendim i Kushtetueses ka hyrë në fuqi më 09.03.2026, dhe do të jetë në fuqi deri më 31.03.2026. Në këtë vendim thuhet se kërkesa në Kushtetuese është parashtruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të kontestuar “kushtetueshmërinë e Dekretit [nr. 24/2026], të 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë (X) të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Në mëngjesin e 06.03.2026, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës pasi deri në përfundim të afatit kushtetues nuk u arrit të zgjidhet presidenti. LVV e ka quajtur akt të paprecedent shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës me dekret të presidentes. Në seancën e mbajtur në orët e vona të 05.03.2026, 66 deputetë ishin prezentë në seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të votohej në rundin e parë për president të Republikës së Kosovës, ndërsa 54 nuk ishin prezentë. Zgjedhja e presidentit nuk kishte ndodhur për shkak se në sallë nuk kishte kuorum.