Balla: Nesër rezolutë kundër Iranit,  kush mungon - s’ia do të mirën Shqipërisë

Balla shton se Shqipëria edhe në këtë iniciativë qëndron fort përkrah aleatëve të saj strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Partia Demokratike vendosi sot në 16 mars, që mos të marrë pjesë në seancën parlamentare që do të zhvillohet ditën e nesërme, teksa nga opozita kanë thënë se seanca e 17 marsit është e paligjshme dhe se është thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren. Në lidhje me këtë vendim të grupit të Partisë Demokratike, ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla. Ky i fundit shprehet se nesër në parlament pritet të kalojë projekt/rezoluta për shpalljen e Iranit si shtet që sponsorizon terrorizmin. Ai shton se Shqipëria edhe në këtë iniciativë qëndron fort përkrah aleatëve të saj strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Balla i bën thirrje grupit parlamentar të PD-së që të reflektojë për vendimin e marrë, teksa deklaron se kush e ka urdhëruar nesër bojkotimin e seancës nuk ia do të mirën as opozitës së vendit e as Shqipërisë. “Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni. Gjithashtu qenka thënë se seanca është thirrur në kundërshim me Rregulloren. Gënjeshtër! Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë”, shkruan Balla. Gjatë ditës së sotme, Partia Demokratike, përmes kreut të Grupit Parlamentar të saj, Gazment Bardhi tha se seanca e 17 marsit është e paligjshme, ndërsa vuri theksin tek protesta opozitare e 22 marsit. “Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit. Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë. Një dyqan personal që nuk i shërben interesit publik. Në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, ai është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve. Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit. Sepse problemi real i Shqipërisë sot është një qeveri që është kthyer në rrezik kombëtar. Prandaj opozita është e vendosur të qëndrojë me qytetarët dhe të udhëheqë betejën për ndryshim, luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, si dhe një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve ”, shkroi Bardhi në Facebook.