Poezi nga: Zbigniew Herbert Përktheu nga anglishtja (bazuar në përkthimin nga polonishtja në anglisht nga Alissa Valles): Agron Shala Duke lexuar kronika të vjetra, epika dhe biografi, z. Kogito herë pas here ndihet i bindur për praninë fizike të njerëzve qëmoti të vdekur. KALIGULA THOTË: Midis gjithë qytetarëve të Romës desha vetëm njërin kalin tim - Incitatin kur hyri në Senat toga e tij e bardhë pa njollë shkëlqente e papërlyer mes vrasësve qyqarë të veshur me purpur Incitati kishte shumë virtyte kurrë nuk foli në publik kishte natyrë stoiku mendoj se natën në stallën e tij duhet të ketë lexuar filozofët e desha aq shumë sa një ditë vendosa ta kryqëzoja por anatomia e tij fisnike nuk e lejoi këtë ai e pranoi titullin e konsullit me shpërfillje e ushtroi pushtetin në mënyrën më të mirë të mundshme domethënë nuk e ushtroi fare nuk ia dolëm dot ta shtynim drejt një lidhjeje të qëndrueshme me gruan time të dashur Cezoninë dhe kështu për fat të keq nuk lindi asnjë linjë e perandorëve kentaurë prandaj Roma ra vendosa ta shpallja zot por në ditën e nëntë para kalendave të shkurtit Herea Kornil Sabini dhe ca budallenj të tjerë penguan planin tim të devotshëm lajmin e vdekjes sime e priti me qetësi u dëbua nga pallati dhe u syrgjynos e përballoi atë goditje me dinjitet vdiq pa pasardhës i therur nga një kasap lëkurëtrashë nga qyteti i Antiumit mbi fatin e mishit të tij pas vdekjes Taciti nuk thotë asgjë