Dënohet me 3 vjet e 5 muaj burgim i akuzuari për sulm seksual në Fushë Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Fushë Kosovë, ka shpallur Aktgjykim dënues në çështjen penale ndaj të akuzuarit A.M., për shkak të veprave penale “Sulm seksual” dhe “Lëndim i lehtë trupor”. Sipas njoftimit zyrtar, i akuzuari është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim me burgim unik në kohëzgjatje prej 3 vitesh e 5 muaj. Në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit, deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në këtë aktgjykim. I akuzuari po ashtu detyrohet që në emër të shpenzimeve të procedurës penale – paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 50 euro dhe në emër të taksës për Fondin e Kompensimin e Viktimave të Krimit, shumën prej 20 euro, e gjitha këto në afatin prej 30 ditëve, nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë. “Udhëzohet pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore – juridike, udhëzohet në kontest të rregullt civil. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.