Shikueshmëri në rënie, asgjë interesante dhe filma të mërzitshëm - a ka ardhur koha që ceremonia e Oscars të mos organizohet më?

Dikur e konsideruar si nata më e madhe e filmit në botë, ceremonia e Academy Awards , e njohur si Oscars, po përballet gjithnjë e më shumë me kritika dhe madje me thirrje për t’u ndërprerë, pasi ceremonia e fundit – e mbajtur të dielën e kaluar – ka zhgënjyer shumë shikues për shkak të parashikueshmërisë së saj. Në një mbrëmje pa shumë emocione, çmimet u fituan nga aktorët Jessie Buckley, Amy Madigan dhe Sean Penn, ky i fundit madje nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Për shkak të rënies së audiencës, akuzave për votim të padrejtë dhe kritikave për diskriminim në bazë moshe dhe gjinie, e ardhmja e çmimit më të famshëm të filmit është vënë në pikëpyetje, shkruan DailyMail . Që nga viti 2020, ceremonia e çmimve Oscars nuk ka arritur të tërheqë më shumë se 20 milionë shikues, një rënie e ndjeshme krahasuar me dekadat e mëparshme kur kjo shifër arrihej lehtësisht. Në përpjekje për të rikthyer publikun, organizatorët kanë njoftuar se nga viti 2029 transmetimi i ceremonisë do të kalojë në YouTube, duke i dhënë fund bashkëpunimit 50-vjeçar me rrjetin televiziv ABC. Sipas tyre, ky partneritet i ri do të mundësojë që puna e Akademisë të arrijë tek një audiencë globale sa më e gjerë. - YouTube youtu.be Megjithatë, shumë kritikë besojnë se për të shpëtuar reputacionin e çmimeve do të nevojiten ndryshime shumë më të thella. Gjatë transmetimit, shikuesit shprehën pakënaqësinë e tyre në rrjetet sociale. “Thjesht hiqini Oscars nga organizimi. Kujt i intereson?”, “A jam vetëm unë apo Oscaret këtë vit janë jashtëzakonisht të mërzitshme?”, “Si mund ta shikoni këtë? E hapa për dy minuta dhe ishte shumë e mërzitshme, një grup burrash të moshuar që nuk i kam dëgjuar kurrë”, dhe “Ceremonia është kaq e parashikueshme, fituesit janë të njëjtë si në BAFTA Awards apo Screen Actors Guild Awards”, ishin vetëm disa nga komentet e publikut. Megjithëse nata u konsiderua e parashikueshme, një rezultat befasoi shumë njerëz. Aktori Timothée Chalamet, i cili shihej si favorit për Oscarin e parë për rolin e tij në filmin "Marty Supreme", në fund humbi përballë Michael B. Jordan. Disa spekulime sugjerojnë se komentet e diskutueshme të Chalamet, ku ai kishte thënë se “askujt nuk i intereson” baleti apo opera, mund të kenë ndikuar në rezultat. Megjithatë, ekspertët thonë se edhe mosha e tij relativisht e re mund të ketë luajtur rol. - YouTube youtu.be Statistikat tregojnë se Akademia rrallë shpërblen aktorë meshkuj të rinj. Në 97 vjet histori të çmimeve, mosha mesatare e fituesit të Oscarit për aktorin më të mirë është 44 vjeç, ndërsa për aktoren më të mirë mesatarja është rreth tetë vjet më e ulët. Edhe yje të mëdhenj si Leonardo DiCaprio fituan Oscarin e parë vetëm në moshën 41-vjeçare, pavarësisht katër nominimeve të mëparshme. Ndërsa Sean Penn e fitoi çmimin e parë në moshën 44-vjeçare dhe këtë vit mori të tretin për aktor dytësor më të mirë në filmin "One Battle After Another".. Eksperti i çmimeve Michael Schulman beson se paragjykimi ndaj aktorëve më të rinj është i rrënjosur në stereotipe kulturore dhe në politikën gjinore. Në një intervistë për The Telegraph , ai tha se shpesh suksesi i burrave shihet si kulmi i një karriere që arrin majat në të 40-at ose të 50-at. Në anën tjetër, për gratë situata është shpesh e kundërt. Sipas Schulman, ekziston ideja se burrat do të kenë karrierë më të gjatë, prandaj nuk ka nxitim për t’i shpërblyer në të 20-at. Por në industrinë e filmit, si në shumë fusha të tjera, gratë nuk përfitojnë të njëjtën trajektore – një fenomen që ai e quan “miti i Hirushes”. Si shembull përmendet edhe viti 2025, kur aktorja Demi Moore, atëherë 63-vjeçare, humbi çmimin për rolin e saj në filmin "The Substance", ndërsa statuja shkoi për 26-vjeçaren Mikey Madison për filmin "Anora". Oscars janë kritikuar gjithashtu edhe për rregullat e reja mbi përfaqësimin dhe përfshirjen, të vendosura në vitin 2025. Sipas tyre, për t’u kualifikuar për kategorinë kryesore "Filmi më i mirë", një film duhet të përmbushë kriteret në të paktën dy nga katër kategori që përfshijnë grupe të nënpërfaqësuara si minoritetet racore dhe etnike, gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetin LGBTQ+. Këto rregulla janë pjesë e iniciativës #OscarsSoWhite, e cila erdhi pas kritikave për mungesën e diversitetit në nominime. Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë se kjo mund të ketë pasoja negative për vetë çmimin. Një tjetër problem është fakti se disa anëtarë të Akademisë, që votojnë për fituesit, nuk i shikojnë të gjithë filmat e nominuar. Edhe pse këtë vit u vendos rregulli që votuesit duhet të konfirmojnë se i kanë parë filmat në kategorinë për të cilën votojnë, kritikat vazhdojnë. Një votues anonim pranoi se nuk kishte parë as gjysmën e filmave të listës, sepse “koha e tij është shumë e vlefshme për ta shpenzuar në filma për të cilët e di që nuk do të votojë”. “Shumica e filmave që pashë ishin mesatarë. Oscars janë bërë mjaft të parëndësishëm. " Anora" , "CODA", "Everything Everywhere All at Once"? Krahasojini me filma si "The Godfather", "Lawrence of Arabia" apo "Patton". Cilin nga këta filma të rinj do ta shikojnë njerëzit pas pesë vitesh?”, u shpreh ai. Pakënaqësi shkaktoi edhe mungesa e Sean Penn në ceremoni. Çmimin në emër të tij e pranoi aktori Kieran Culkin, i cili bëri shaka duke thënë: “Sean Penn nuk mundi – ose nuk deshi – të ishte sonte këtu, prandaj po e marr unë çmimin”. Më vonë u bë e ditur se Penn mungoi për shkak të një vizite në Ukrainë, por mungesa e tij gjithsesi zemëroi një pjesë të publikut. Mbetet për t’u parë nëse ndryshimet e fundit të Akademisë do të arrijnë të rikthejnë prestigjin dhe të ardhmen e çmimeve më të famshme të kinemasë. /Telegrafi/