7 frizura që po “shpërthejnë” këtë vit: Njëra ndryshon pamjen në çast

Valë romantike, teksturë natyrale dhe prerje moderne që i japin flokut volum dhe elegancë pa shumë mundim Analizat e modës dhe bukurisë nga tapeti i kuq i Oskarëve vazhdojnë ende, por një gjë është e sigurt, frizurat këtë vit ishin po aq mbresëlënëse sa edhe fustanet glamuroze të shtëpive më të mëdha të modës. Në edicionin e 98-të të Oskarëve, të mbajtur në Los Angeles, yjet e njohura treguan se frizura është pjesë thelbësore e stilit të përgjithshëm, qoftë me valë romantike, bob retro apo pixie të shkurtra. Këtë vit dominuan tekstura natyrale, frymëzime nga vitet ’90 dhe valë romantike “gothic waves”, të inspiruara nga estetika historike dhe filmat e mëdhenj. Një gjë është e sigurt, këto frizura do t’i shohim kudo në muajt në vijim, nga eventet elegante deri te trendet e përditshme në sallonet e bukurisë, transmeton Telegrafi. Emma Stone – bob elegant me ndarje anësore Emma Stone mahniti me një stil të thjeshtë që nuk del kurrë nga moda. Flokët e saj në nuancë bakri u stilizuan në një bob retro me ndarje të thellë anësore, duke krijuar një pamje njëkohësisht klasike dhe moderne. Ky stil minimalist u kombinua në mënyrë perfekte me fustanin e bardhë Louis Vuitton. Ariana Greenblatt – valë glamuroze me balluke “perde” Aktorja e re Ariana Greenblatt solli një nga transformimet më të spikatura të mbrëmjes. Flokët e saj u stilizuan në valë të buta me volum dhe balluke në stil perde, në një nuancë të ngrohtë kafe me refleks të kuqërremtë, duke theksuar një pamje romantike dhe elegante. Odessa A'zion– valë dramatike “gothic waves” Një nga trendet më të forta të mbrëmjes ishin valët dramatike të frymëzuara nga estetika gotike dhe romantike, të njohura si “Wuthering Heights”. Odessa A'zion e solli këtë stil me kaçurrela natyrale dhe volum të madh, duke krijuar një pamje misterioze dhe shumë glamuroze. Teyana Taylor – pixie moderne Teyana Taylor u shfaq me një pixie të shkurtër, të teksturuar dhe me shkëlqim, duke sjellë një kontrast të fortë me valët romantike të mbrëmjes. Ky stil theksoi tiparet e saj dhe u kombinua perfekt me një fustan Chanel me pupla dhe kristale. Nicole Kidman – valë romantike me volum Nicole Kidman konfirmoi edhe një herë elegancën e saj të përjetshme. Ajo u paraqit me valë të buta romantike që i dhanë flokëve volum dhe lëvizje natyrale. Flokët e saj të çelët ranë mbi supe me një ndarje diskrete, duke sjellë një elegancë klasike holivudiane. Heidi Klum – valë dramatike Heidi Klum zgjodhi valë të theksuara dhe voluminoze që i dhanë pamjes efektin tipik të tapetit të kuq. Flokët e gjatë biondë u stilizuan me shumë teksturë dhe lëvizje, duke krijuar një pamje glamuroze në stil “supermodel”. Anne Hathaway – stil klasik i frymëzuar nga Hollywood-i i vjetër Anne Hathaway mahniti me një frizurë klasike të frymëzuar nga epoka e artë e Hollywood-it. Flokët e saj të errët u stilizuan në valë të buta dhe me shkëlqim, që binin elegant mbi supe, me një ndarje të lehtë anësore. /Telegrafi/