Kush është polici i arrestuar dhe kolegët e tij të dyshuar në rastin e pakove me cigare në vlerë 30 mijë euro

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka kërkuar suspendim të përkohshëm për 72 orë ndaj 5 zyrtarëve policorë: Fatmir Uka, Arianit Çitaku, Jeton Ibrahimi, Kastriot Syla dhe Alban Sahiti. Të gjithë këta zyrtarë policorë i përkasin Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë të Departamentit Kufitar. Kallxo ka siguruar një raport të IPK- së, i cili tregon se me vendim te prokurorit një nga 5 zyrtarët policor është arrestuar, ndërsa të tjerët do të hetohen në procedurë të rregullt. “Me vendim të prokurorit kompetent të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, zyrtari policor Fatmir Uka është ndaluar për 48 orë, ndërsa katër zyrtarët e tjerë janë duke u hetuar në procedurë të rregullt”. Gjatë sekuestrimit, morën 24 paketa cigare: IPK arreston një polic dhe rekomandon suspendimin e katër të tjerëve Sipas IPK-së zyrtarët policorë dyshohen për veprën penale, përvetësimi në detyrë që është kryer gjatë një kontrolli të një veture në afërsi të Leposaviqit. “Bazuar në të dhënat fillestare hetimore dhe provat e siguruara deri në këtë fazë, ekziston dyshimi i bazuar se zyrtarët e lartcekur, me datë 13.03.2026, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, në kuadër të kapitullit “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, thuhet në raportin e IPK-së. “Sipas dyshimeve, të njëjtit, pasi paraprakisht kishin sekuestruar mbi 100 paketa me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandim brenda territorit të Republikës së Kosovës, dyshohet se zyrtarët policorë i kanë përvetësuar 24 paketa me cigare, rreth 12,500 pako cigare, në vlerë rreth 30.000 euro, ku në Doganën e Kosovës i kanë dorëzuar vetëm 84 paketa me cigare të cilat janë dyshuar si të kontrabanduara. Me këtë kanë vepruar në kundërshtim të plotë me detyrimet ligjore dhe procedurat zyrtare”, thuhet në fund.