Tri përballje të forta sot në Albi Mall Superligë – luftë për pikë jetike në çdo front

Sot (e mërkurë) vazhdon xhiroja 25 në Albi Mall Superliga e Kosovës me tri ndeshje që pritet të sjellin emocione dhe tension në garën për titull dhe mbijetesë. Të gjitha sfidat zhvillohen nga ora 13:00 dhe pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në tabelë. Gjatë ditës së djeshme (e martë) u zhvilluan dy ndeshjet e para të xhiros, ku Ferizaj mposhti thellë 3-0 Prishtinën, ndërsa Drenica triumfoi në shtëpi ndaj Malishevës me rezultat 4-2. Sot priten poashtu tri ndeshje shumë të forta, me skuadrat që kanë shumë të nevojshme pikët për objektivat e tyre në kampionat. Në Podujevë, Llapi përballet me Gjilanin në një duel delikat. Llapi synon të shfrytëzojë terrenin vendas për të marrë tri pikë të rëndësishme dhe për t’u stabilizuar në renditje, ndërsa Gjilani vjen me ambicie të qarta për të mos dalë duarbosh dhe në rast fitoreje të ngjitet në pozitën e tretë. Në Gjilan, Drita pret Dukagjinin në një tjetër përballje me shumë peshë. Drita, një nga pretendentët kryesorë për kreun, nuk lejon hap fals në këtë fazë të kampionatit. Nga ana tjetër, Dukagjini kërkon pikë pasi në të kundërt mund ta shoh veten në presion mbijetese. Ndërkohë, në kryeqytet, Prishtina e Re përballet me kampionin në fuqi, Ballkanin. Ballkani synon të vazhdojë dominimin dhe të mbajë ritmin në garën për titull, por Prishtina e Re ka treguar se mund të jetë e rrezikshme, sidomos në shtëpi. /Telegrafi/