Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ka dalë me reagim lidhur me aksidentin e rëndë që ka ndodhur dje rreth orës 14:15 në Vjenë, Austri, ku kanë humbur jetën tre shtetas kosovarë. Sipas informacionit zyrtar të autoriteteve austriake, aksidenti ndodhi në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit u shemb dhe disa punëtorë mbetën të zënë nën rrënoja. “Bazuar në konfirmimet zyrtare dhe në informacionet e siguruara përmes kontakteve me familjarët, deri në këto momente është konfirmuar se nga viktimat e identifikuara janë Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj me prejardhje nga Republika e Kosovës", thuhet në njoftimin e MPJD-së. Betoni vështirësoi situatën, zjarrfikësit përdorën pajisje speciale - detaje të tjera nga tragjedia në Vjenë ku vdiqën tre kosovarë Ministria thekson se që nga marrja e informacionit, institucionet e Kosovës janë koordinuar ngushtë me familjarët për të ofruar mbështetje dhe për të lehtësuar procedurat për kthimin e trupave të viktimave në Kosovë. “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave si dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi", përfundon njoftimi. Institucionet kosovare vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe mbeten në gatishmëri për çdo ndihmë të mëtejshme për familjarët e viktimave. /Telegrafi/