Nga: James Marriott / jmarriott.substack.com Përktheu: Agron Shala Epoka e shtypit Ishte një nga revolucionet më të rëndësishme në historinë moderne - dhe megjithatë nuk u derdh asnjë pikë gjaku, nuk u hodhën bombat dhe nuk u pre koka e asnjë monarku. Ndoshta asnjë transformim i madh shoqëror nuk është kryer kurrë kaq qetë. Ky ndodhi në kolltukë, në biblioteka, në kafene dhe në klube. Ja çfarë ndodhi: në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë, një numër i madh njerëzish të zakonshëm filluan të lexonin. Në dy shekujt e parë pas shpikjes së shtypshkronjës, leximi mbeti kryesisht aktivitet i elitës. Por, në fillim të viteve 1700, zgjerimi i arsimit dhe shpërthimi i botimeve të lira bënë që leximi të përhapej me shpejtësi nëpër shtresat e mesme dhe madje edhe në shtresat më të ulëta të shoqërisë. Njerëzit që jetonin në atë kohë e kuptonin se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Papritmas dukej sikur të gjithë po lexonin kudo: burra, gra, fëmijë, të pasur dhe të varfër. Leximi filloi të përshkruhej si “ethe”, “epidemi”, “mani”, “çmenduri”. Siç shkruan historiani Tim Blanning, “konservatorët u tmerruan dhe progresistët u gëzuan sepse ishte një zakon që nuk i njihte kufijtë shoqërorë”. Ky transformim nganjëherë quhet “revolucioni i leximit”. Ishte një demokratizim i paprecedentë i informacionit; transferimi më i madh i dijes në duart e njerëzve të zakonshëm në histori. Në Britani vetëm 6 000 libra u botuan në dekadën e parë të shekullit të tetëmbëdhjetë; në dekadën e fundit të të njëjtit shekull numri i titujve të rinj kalonte 56 000. Më shumë se gjysmë milion botime të reja u shfaqën në gjuhën gjermane gjatë viteve 1700. Historiani Simon Schama ka shkuar deri aty sa të shkruajë se “niveli i shkrim-leximit në Francën e shekullit të tetëmbëdhjetë ishte shumë më i lartë se në Shtetet e Bashkuara në fund të shekullit të njëzetë”. Dikur lexuesit lexonin “në mënyrë intensive”, duke kaluar jetën duke lexuar dhe rilexuar dy ose tre libra. Revolucioni i leximit popullarizoi një formë të re leximi “ekstensiv”. Njerëzit lexonin gjithçka që mund të gjenin: gazeta, revista, histori, filozofi, shkencë, teologji dhe letërsi. Libra, pamflete dhe periodikë dilnin me shumicë nga shtypshkronjat. Ishte një epokë e veprave monumentale të mendimit dhe dijes: Enciklopedia [ Encyclopédie ], Fjalori i gjuhës angleze [ Dictionary of the English Language ] i Samuel Johnson, Rënia dhe shkatërrimi i Perandorisë Romake [ Decline and Fall of the Roman Empire ] i Edward Gibbonit, Kritika e arsyes së pastër [ Kritik der reinen Vernunft ] e Immanuel Kantit. Ide të reja radikale për Zotin, për historinë, për shoqërinë, për politikën dhe madje për qëllimin dhe kuptimin e jetës përhapeshin në gjithë Evropën. Edhe më me rëndësi, shtypi ndryshoi mënyrën se si njerëzit mendonin. Bota e shtypit është e rregullt, logjike dhe racionale. Në libra, dija klasifikohet, kuptohet, lidhet dhe vendoset në vendin e vet. Librat ndërtojnë argumente, propozojnë teza, zhvillojnë ide. “Të angazhohesh me fjalën e shkruar”, ka shkruar teoricieni i mediave Neil Postman, “do të thotë të ndjekësh një vijë mendimi, gjë që kërkon aftësi të konsiderueshme për klasifikim, nxjerrje përfundimesh dhe arsyetim”. Siç vuri në dukje Postmani, nuk është rastësi që rritja e kulturës së shtypit në shekullin e tetëmbëdhjetë u shoqërua me rritjen e prestigjit të arsyes, me armiqësinë ndaj besëtytnive, me lindjen e kapitalizmit dhe me zhvillimin e shpejtë të shkencës. Historianë të tjerë e kanë lidhur shpërthimin e shkrim-leximit në shekullin e tetëmbëdhjetë me Iluminizmin, me lindjen e të drejtave të njeriut, me ardhjen e demokracisë dhe madje me fillimet e revolucionit industrial. Bota, siç e njohim sot, u farkëtua në revolucionin e leximit. Kundërrevolucioni Tani, ne po jetojmë përgjatë kundërrevolucionit. Më shumë se treqind vjet pasi revolucioni i leximit solli një epokë të re të dijes njerëzore, librat po zhduken. Studimet e shumta tregojnë se leximi është në rënie të lirë. Edhe kritikët më pesimistë të shekullit të njëzetë, ndaj epokës së ekraneve, do ta kishin pasur të vështirë të parashikonin përmasat e krizës së sotme. Në Shtetet e Bashkuara, leximi për kënaqësi ka rënë me 40 për qind gjatë njëzet vjetëve të fundit. Në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se një e treta e të rriturve thonë se kanë hequr dorë nga leximi. Fondi Kombëtar i Shkrim-Leximit [National Literacy Trust] raporton një rënie “tronditëse dhe demoralizuese” në lexim nga fëmijët që tani është në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Industria e botimeve është në krizë: siç shkruan autori Alexander Larman, “librat që dikur do të shiteshin në dhjetëra, madje qindra mijëra kopje, sot janë me fat nëse arrijnë të shiten në disa mijëra”. Edhe më domethënëse, në fund të vitit 2024, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik [OECD] publikoi një raport që zbuloi se nivelet e shkrim-leximit po bien ose po stagnonin në shumicën e vendeve të zhvilluara. Dikur një sociolog që do të përballej me statistika të tilla mund të kishte menduar se shkak për këtë ishte një krizë e madhe shoqërore, si lufta apo kolapsi i sistemit arsimor. Por, ajo që ndodhi ishte smartfoni [smartphone], i cili u përhap gjerësisht në vendet e zhvilluara në mesin e viteve 2010. Ato vite do të kujtohen si pikë kthese në historinë njerëzore. Asnjëherë më parë nuk ka ekzistuar një teknologji si smartfoni. Ndërsa teknologjitë e mëparshme të argëtimit, si kinemaja apo televizioni, synonin të mbanin vëmendjen e publikut për një periudhë kohe, smartfoni kërkon gjithë jetën tënde. Telefonat janë projektuar që të jenë hiper-varësi, duke i mbërthyer përdoruesit në një mori njoftimesh të panevojshme, videosh të shkurtra pa kuptim dhe provokimesh emocionale në rrjetet sociale. Sot, një person mesatar kalon shtatë orë në ditë duke parë ekranin. Për Gjeneratën Z, shifra është nëntë orë. Një artikull i fundit në The Times zbuloi se studentët modernë mesatarisht janë të destinuar të kalojnë 25 vjet të jetës së tyre zgjuar duke bërë lëvizje me gisht në ekrane. Nëse revolucioni i leximit përfaqësonte transferimin më të madh të dijes në duart e njerëzve të zakonshëm në histori, revolucioni i ekraneve përfaqëson vjedhjen më të madhe të dijes nga njerëzit e zakonshëm në histori. Universitetet tona janë në vijën e parë të kësaj krize. Ato po mësojnë tani brezat e parë vërtet “post-shkrim-lexim” të studentëve, të cilët janë rritur pothuajse tërësisht në botën e videove të shkurtra, lojërave kompjuterike, algoritmeve që krijojnë varësi (dhe, gjithnjë e më shumë, IA-së - inteligjencës artificiale). Për shkak se interneti celular i kudondodhur ka shkatërruar aftësinë e tyre për përqendrim dhe ka kufizuar zhvillimin e fjalorit të tyre, dija e pasur dhe e detajuar që ruhet në libra po bëhet e paarritshme për shumë prej tyre. Një studim mbi studentët e letërsisë angleze në universitetet amerikane zbuloi se ata nuk ishin në gjendje të kuptonin paragrafin e parë të romanit Shtëpia e shkretë [ Bleak House ] të Charles Dickensit - libër që dikur lexohej rregullisht nga fëmijët. [1] Një artikull i botuar në The Atlantic , me titull “Studentët e kolegjeve elitare që nuk mund të lexojnë libra”, citon përvojën tipike të një profesori: Njëzet vjet më parë, klasat e [Nicholas] Damesit nuk kishin asnjë problem të zhvillonin diskutime të sofistikuara - një javë për [librin] Krenari dhe paragjykim [ Pride and Prejudice ] dhe javën tjetër për Krim dhe ndëshkim [ Prestuplenie i nakazanie ]. Tani studentët e tij i thonë që në fillim se ngarkesa e leximit u duket e pamundur. Nuk është vetëm ritmi i shpejtë; ata kanë vështirësi të përqendrohen te detajet e vogla duke mbajtur njëkohësisht në mendje rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve. Sipas një vlerësimi tjetër dëshpërues, shumica e studentëve tanë janë praktikisht analfabetë “funksionalë”. Kjo përputhet me gjithçka që kam dëgjuar në bisedat e mia me mësues dhe studiues. Një pedagog i Oksbrixhit me të cilin fola, e përshkroi situatën si “kolaps të shkrim-leximit” te studentët e tij. Bartja e dijes - funksioni më i lashtë i universitetit - po shpërbëhet para syve tanë. Autorë si Shakespeare, Milton dhe Jane Austen, veprat e të cilëve janë bartur brez pas brezi ndër shekuj, nuk po arrijnë më te brezi i ardhshëm i lexuesve. Ata po humbasin aftësinë për t’i kuptuar. Tradita e mësimit është si një fije e çmuar e artë e dijes që përshkon historinë njerëzore, duke lidhur nëpër kohë lexues me lexues. Ajo u këput për herë të fundit gjatë rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit, kur valët barbare goditnin kufijtë, qytetet tkurreshin dhe bibliotekat digjeshin ose kalbeshin. [2] Ndërsa bota e elitës së arsimuar romake shpërbëhej, shumë shkrimtarë dhe vepra letrare dolën nga kujtesa njerëzore - disa për t’u humbur përgjithmonë, të tjerat për t’u rizbuluar qindra vjet më vonë gjatë Rilindjes. Kjo fije e artë po këputet për herë të dytë. Një tragjedi intelektuale Rënia e leximit po shkakton ulje në tregues të ndryshëm të aftësive njohëse. Leximi lidhet me një sërë përfitimesh mendore, përfshirë përmirësimin e kujtesës dhe përqendrimit, aftësi më të mira analitike, rrjedhshmëri më të madhe në të shprehur dhe ritme më të ulëta të rënies kognitive në moshë të shtyrë. Pas përhapjes së smartfonëve në mesin e viteve 2010, rezultatet globale të PISA-s - matja më e njohur ndërkombëtare e aftësive të nxënësve - filluan të bien. Siç shkruan John Burn-Murdoch në Financial Times , studentët gjithnjë e më shpesh thonë në sondazhe se kanë vështirësi të mendojnë, të mësojnë dhe të përqendrohen. Do të vini re pikën karakteristike të kthesës në mesin e viteve 2010. Studimi Monitorimi i së ardhmes [ Monitoring the Future ] ka pyetur 18-vjeçarët nëse kanë vështirësi të mendojnë, të përqendrohen ose të mësojnë gjëra të reja. Përqindja e maturantëve që raportojnë vështirësi mbeti e qëndrueshme gjatë viteve 1990 dhe 2000, por filloi të rritej me shpejtësi në mesin e viteve 2010. Dhe, siç thotë Burn-Murdoch, këto probleme njohëse nuk kufizohen vetëm në shkolla dhe universitete. Ato prekin të gjithë: “Rënia në aftësitë e arsyetimit dhe zgjidhjes së problemeve nuk kufizohet te adoleshentët. Edhe të rriturit tregojnë një model të ngjashëm, me rënie të dukshme në të gjitha grupmoshat”. Më intriguese - dhe njëkohësisht alarmante - është rasti i koeficientit të inteligjencës [IQ] që u rrit vazhdimisht gjatë gjithë shekullit të njëzetë (i ashtuquajturi “efekti Flynn”), por që tani duket se ka filluar të bjerë. Rezultati nuk është vetëm humbja e informacionit dhe e inteligjencës, por edhe një varfërim tragjik i përvojës njerëzore. Për shekuj me radhë, pothuajse të gjithë njerëzit e arsimuar dhe inteligjentë kanë besuar se letërsia dhe dija janë ndër qëllimet më të larta dhe ngushëllimet më të thella të ekzistencës njerëzore. Veprat klasike janë ruajtur ndër shekuj sepse përmbajnë, sipas shprehjes së famshme të Matthew Arnoldit, “më të mirën që është menduar dhe thënë ndonjëherë”. Romanet dhe poezitë më të mëdha pasurojnë kuptimin tonë për përvojën njerëzore duke na vendosur në mënyrë imagjinare brenda mendjeve të të tjerëve dhe duke na çuar në kohë dhe vende të tjera. Duke lexuar vepra joletrare - shkencë, histori, filozofi, udhëpërshkrime - ne bëhemi thellësisht të vetëdijshëm për vendin tonë në botën e jashtëzakonshme dhe të ndërlikuar që kemi privilegjin të banojmë. Smartfonët po na i rrëmbejnë këto ngushëllime. Epidemia e ankthit, depresionit dhe mungesës së qëllimit që po prek të rinjtë në shekullin e njëzet e një shpesh lidhet me izolimin dhe krahasimin negativ shoqëror që nxisin smartfonët. Por, ajo është gjithashtu produkt i drejtpërdrejtë i kotësisë, fragmentimit dhe trivialitetit të kulturës së ekranit, e cila është krejtësisht e paaftë t’u përgjigjur ndaj nevojave të thella njerëzore për kureshtje, rrëfim, përqendrim të thellë dhe përmbushje artistike. Një botë pa mendje Ky shterim i kulturës, i mendimit kritik dhe i inteligjencës përfaqëson një humbje tragjike të potencialit njerëzor dhe të lulëzimit njerëzor. Ëështë gjithashtu një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen shoqëritë moderne. Qytetërimi ynë i gjerë, i ndërlidhur, tolerant dhe i avancuar në aspektin teknik është ndërtuar mbi format komplekse dhe racionale të të menduarit që ushqen shkrim-leximi. Siç shkruan Walter Ong në librin e tij Oralja dhe shkrim-leximi [ Orality and Literacy ], disa forma të të menduarit kompleks dhe logjik thjesht nuk mund të arrihen pa lexim dhe shkrim . Është pothuajse e pamundur të zhvillosh një argument të detajuar dhe logjik vetëm përmes të folurit spontan - do të humbje fillin e mendimit, do të kundërshtoje veten dhe do të ngatërroje dëgjuesit duke u përpjekur të riformuloje çështje të shprehura keq. Si shembull ekstrem, mendoni për dikë që përpiqet thjesht të thotë me gojë një vepër të famshme filozofike. Për shembull, Kritika e arsyes së pastër e Kantit me 900 faqe, Traktati [ Tractatus ] i Ludwig Wittgensteinit, ose Qenia dhe hiçi [ L'Être et le néant: Essai d'ontologie phénoménologique ] nga Sartre. Do të ishte e pamundur. Dhe, po aq e pamundur për ta dëgjuar. Për të prodhuar veprën e tij të madhe, Kanti duhej t’i shkruante idetë e tij, t’i fshinte, t’i mendonte përsëri, t’i përpunonte dhe t’i rishkruante gjatë shumë viteve derisa ato të formonin një tërësi bindëse dhe logjike. Për ta kuptuar siç duhet librin, duhet ta kesh përpara që të mund të rilexosh pjesët që nuk i kupton, të kontrollosh lidhjet logjike dhe të reflektosh mbi pasazhet e rëndësishme derisa vërtet i përvetëson. Ky lloj mendimi i avancuar është i pandashëm nga leximi dhe shkrimi. Studiuesi i klasikëve, Eric Havelock, argumentonte se ardhja e shkrim-leximit në Greqinë e lashtë ishte katalizatori për lindjen e filozofisë. Sapo njerëzit patën një mënyrë për t’i fiksuar idetë në faqe për t’i analizuar, për t’i përmirësuar dhe për t’i zhvilluar më tej, lindi një mënyrë krejtësisht e re revolucionare e mendimit analitik dhe abstrakt - një mënyrë që do të formësonte gjithë qytetërimin tonë. [3] Me lindjen e shkrimit, mënyrat e pranuara të të menduarit mund të sfidoheshin dhe të përmirësoheshin. Ky ishte çlirimi kognitiv i species sonë. Siç e tha Neil Postmani në Duke zbavitur veten deri në vdekje [ Amusing Ourselves to Death ]: Filozofia nuk mund të ekzistojë pa kritikë ... shkrimi e bën të mundur dhe të përshtatshme që mendimi të vihet nën një shqyrtim të vazhdueshëm dhe të përqendruar. Shkrimi e ngrin të folurin dhe duke e bërë këtë lind gramatikani, logjicieni, retoriku, historiani, shkencëtari - të gjithë ata që duhet ta mbajnë gjuhën përpara vetes për të parë se çfarë do të thotë, ku gabon dhe ku po shkon. Jo vetëm filozofia, por e gjithë infrastruktura intelektuale e qytetërimit modern varet nga format komplekse të të menduarit që janë të pandashme nga leximi dhe shkrimi: histori serioze, teorema shkencore, propozime të detajuara politike dhe debatet e rrepta e të paanshme politike që zhvillohen në libra dhe revista. Këto forma të mendimit të avancuar përbëjnë themelet intelektuale të modernitetit. Nëse bota jonë duket e paqëndrueshme sot - sikur toka po na lëkundet poshtë - kjo ndodh sepse ato themele po shemben nën këmbët tona. Siç mund ta keni vënë re, bota e ekranit do të jetë shumë më e trazuar sesa bota e shtypit: më emocionale, më e zemëruar dhe më kaotike. Walter Ong theksonte se shkrimi e ftoh dhe e racionalizon mendimin. Nëse doni të paraqisni argumentin tuaj personalisht ose në një video në TikTok , keni mënyra të panumërta për të anashkaluar argumentin logjik. Mund të bërtisni, të qani dhe të magjepsni audiencën derisa të nënshtrohet. Mund të përdorni muzikë emocionale ose të tregoni pamje tronditëse. Këto nuk janë argumente racionale, por njerëzit nuk janë qenie plotësisht racionale dhe shpesh binden prej tyre. Një libër nuk mund t’ju bërtasë (falë Zotit!) dhe nuk mund të qajë. Pa gamën e mjeteve që mund të mposhtin logjikën dhe që janë në dispozicion të podkasterëve dhe jutuberëve, autorët janë shumë më të varur vetëm nga arsyeja, të dënuar të ndërtojnë me dhimbje argumentet e tyre fjali pas fjalie (e ndiej atë agoni tani). Librat janë larg përsosmërisë, por janë shumë më të lidhur me kërkesat e argumentit logjik se çdo mjet tjetër komunikimi që njerëzimi ka shpikur më parë. Kjo është arsyeja pse Ongu vërejti se shoqëritë “orale” para-shkrim-lexim shpesh u duken vizitorëve nga vendet me kulturë shkrimi si jashtëzakonisht mistike, emocionale dhe antagoniste në diskursin dhe mënyrën e tyre të të menduarit. [4] Ndërsa librat po zhduken, duket se po kthehemi te këto zakone “orale” të të menduarit. Diskursi ynë po shembet në panik, urrejtje dhe luftëra tribale. Mendimi antishkencor lulëzon në nivelet më të larta të qeverisë amerikane. Promotorë të irracionales dhe teorive konspirative si Candace Owens dhe Russell Brand gjejnë audienca të mëdha dhe të besueshme në internet. Të vëna në faqe, argumentet e tyre do të dukeshin absurde. Në ekran, ato janë bindëse për shumë njerëz. Rritja e këtyre stileve emocionale dhe irracionale të të menduarit paraqet një sfidë të thellë për kulturën dhe politikën tonë. Ne mund të jemi duke zbuluar se nuk është e mundur të drejtohet qytetërimi më i avancuar në historinë e planetit me aparatin intelektual të një shoqërie para-shkrim-lexim. Fundi i krijimtarisë Epoka e shtypit u karakterizua nga një dinamizëm dhe një pasuri të paprecedentë kulturore. Leximi është baza e krijimtarisë dhe inovacionit që janë thelbësorë për modernitetin. Nuk është e vërtetë se, që një shoqëri të përfitojë nga kultura e shtypit, çdo qytetar duhet të jetë lexues i pasionuar i librave. Megjithatë, nëse ka një shprehi që bashkon udhëheqësit, shpikësit, shkencëtarët dhe artistët që kanë formuar qytetërimin tonë, ai është leximi. Lexuesit seriozë janë të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale pothuajse në çdo fushë të arritjeve njerëzore. Merrni për shembull politikanët e mëdhenj: Teddy Roosevelt pretendonte se lexonte një libër në ditë, Winston Churchilli i kishte vënë vetes një program ambicioz leximi në filozofi, ekonomi dhe histori kur ishte i ri dhe vazhdoi të lexonte me etje gjatë gjithë jetës së tij. Clement Attlee kujtonte se lexonte katër libra në javë kur ishte nxënës. Ose merrni parasysh kulturën popullore (e cila zakonisht nuk konsiderohet si fushë veçanërisht letrare e veprimtarisë njerëzore). David Bowie lexonte, sipas fjalëve të tij, “me pangopësi”. “Çdo libër që kam blerë, e kam ende. Nuk mund ta hedh tutje”, tha ai njëherë. “Është fizikisht e pamundur të largohet nga dora ime”! Një listë që Bowie shkroi me njëqind librat e tij të preferuar përfshin vepra të shkrimtarëve William Faulkner, Tom Stoppard, DH Lawrence dhe TS Eliot. Në një libër të fundit për karrierën e tij si autor këngësh, Paul McCartney përmendi emrat “Dylan Thomas, Oscar Wilde dhe Allen Ginsberg, si dhe shkrimtarin simbolist francez Alfred Jarry, pastaj Eugene O’Neill dhe Henrik Ibsen”, ndër autorët që atë e kishin frymëzuar. Thomas Edisoni lexonte shumë gjatë gjithë jetës së tij. Po ashtu Charles Darwini. Po ashtu Albert Einsteini. Për ironi, edhe Elon Musk pretendon se është “rritur nga librat”. Leximi e pasuron punën krijuese duke u dhënë burrave dhe grave gjenialë qasje në thesarin e gjerë dhe të paçmuar të dijes që ruhet në libra - “më të mirën që është menduar dhe thënë”. Disiplina e leximit i pajis ata me mjetet analitike për të shqyrtuar, përpunuar dhe revolucionarizuar atë traditë. Siç argumenton Elizabeth Eisenstein në librin Revolucioni i shtypit në Evropën e hershme moderne [ The Printing Revolution in Early Modern Europe ], shpikja e shtypshkronjës ndihmoi në katalizimin e një serie revolucionesh kulturore që skalitën botën moderne: Rilindjen, Reformacionin dhe revolucionin shkencor. Historianë të tjerë do të shtonin Iluminizmin, lindjen e të drejtave të njeriut dhe revolucionin industrial. Eisensteini shpjegon se si prirja e leximit për të nxitur inovacionin u shfaq në universitetet e Rilindjes. Me shpikjen e shtypit, studentët kishin qasje më të madhe në libra, duke lejuar që “studentët e zgjuar të kapërcenin kufijtë e njohurive të mësuesve të tyre. Studentët e talentuar nuk kishin më nevojë të uleshin në këmbët e një mjeshtri të caktuar për të mësuar një gjuhë ose një aftësi akademike”, Dhe, kështu studentët që përfitonin nga tekstet teknike që shërbenin si mësues të heshtur kishin më pak gjasa t’i nënshtroheshin autoritetit tradicional dhe ishin më të hapur ndaj prirjeve inovative. Mendjet e reja të pajisura me botime të përditësuara, veçanërisht të teksteve matematikore, filluan të tejkalonin jo vetëm të pleqnarët e tyre, por edhe urtësinë e të lashtëve. Studentët modernë që nuk janë në gjendje të lexojnë janë sërish të varur nga autoriteti i mësuesve të tyre dhe janë më pak të aftë të ecin përpara, të zbulojnë dhe të vënë në pikëpyetje ortodoksitë. Këta studentë janë vetëm një simptomë e kulturës së stagnimit të epokës së ekranit, e cila karakterizohet nga thjeshtësia, përsëritja dhe e cekëta. Simptomat e saj mund të vërehen kudo rreth nesh. Këngët pop në çdo zhanër po bëhen më të shkurtra, më të thjeshta dhe më të përsëritshme , ndërsa filmat po reduktohen në formula pafundësisht të përsëritura të franshizave. Studimet sugjerojnë se numri i shpikjeve “përçarëse” dhe “transformuese” është në rënie. Më shumë para shpenzohen për kërkime shkencore se kurrë më parë në histori, por ritmi i përparimit “mezi po arrin të mbajë hapin me të kaluarën”. Patjetër që shumë faktorë janë në veprim, por kjo është gjithashtu mu ajo që do të prisnit nga një brez studiuesish që kaluan fëmijërinë ngjitur për ekrane në vend që të lexonin ose të mendonin. Edhe vetë librat po bëhen më pak kompleksë . Nëse bota e shkrim-leximit karakterizohej nga kompleksiteti dhe inovacioni, bota post-shkrim-lexim karakterizohet nga thjeshtësia, padituria dhe stagnimi. Ndoshta nuk është rastësi që rënia e shkrim-leximit ka sjellë obsesion me “nostalgjinë” kulturore; një dëshirë për të ricikluar pafundësisht format kulturore të së kaluarës: për shembull, serialet televizive dhe stilet e viteve ’90 të shekullit XX, ose modat e fillimit të viteve 2000. Kultura jonë po shndërrohet në një shkretëtirë smartfonësh. Të shkëputur nga pasuritë kulturore të së kaluarës, jemi të dënuar të jetojmë në një të tashme të përjetshme narciste. Të privuar nga mjetet kritike për të vënë në pikëpyetje dhe për të zhvilluar idetë e atyre që erdhën para nesh, jemi të dënuar të përsërisim pafundësisht veten tonë, një film superheroi pas një filmi superheroi, këngë e përsëritshme pop pas këngës së përsëritshme pop. Mbi të gjitha, kjo kulturë gjithnjë e më triviale dhe e pamend është fatkeqësi për politikën tonë. Vdekja e demokracisë Në mënyrë ironike nga perspektiva e së tashmes, revolucioni i leximit i shekullit të tetëmbëdhjetë u shoqërua jo vetëm me entuziazëm, por edhe me një panik moral. “Asnjë dashamirës i duhanit apo i kafesë, asnjë pirës vere apo dashamirës i lojërave, nuk mund të jetë aq i varur nga llulla e tij, shishja, lojërat apo tryeza e kafesë sa janë ata shumë lexues të pangopur nga zakoni i tyre i leximit”, gjëmonte një klerik gjerman. Richard Steele kishte frikë se “romanet shtrojnë pritshmëri të cilat rrjedha e zakonshme e jetës nuk mund t’i realizojë kurrë”. Disa të tjerë shqetësoheshin se leximi “e nxit tepër imagjinatën dhe e lodh zemrën”. Është e lehtë të qeshësh me këto ankthe. E kemi kaluar gjithë jetën duke dëgjuar se sa e virtytshme dhe e arsyeshme është të lexosh libra. Si mund të jetë leximi i rrezikshëm? Por, në retrospektivë, këta moralistë konservatorë kishin të drejtë të shqetësoheshin. Zgjerimi i shpejtë i shkrim-leximit ndihmoi në shkatërrimin e botës së rregullt, hierarkike dhe thellësisht të pabarabartë në aspektin shoqëror që ata çmonin. Revolucioni i leximit ishte katastrofë për aristokratët jashtëzakonisht të privilegjuar dhe shfrytëzues të ancien régime -it aristokratik evropian - sistemi i vjetër autokratik i qeverisjes me mbretër të gjithëpushtetshëm në majë, me lordë dhe klerikë poshtë tyre dhe me fshatarë që përpëliteshin krejt në fund. Padituria ishte bazamenti i Evropës feudale. Pabarazitë e mëdha të rendit aristokratik mund të ruheshin pjesërisht sepse popullsia nuk kishte asnjë mënyrë për të zbuluar përmasat e korrupsionit, abuzimeve dhe paaftësive të qeverive të tyre. Dhe, hierarkia e vjetër feudale justifikohej jo aq shumë me argumente logjike sa me atë që Walter Ongu mund ta kishte njohur si thirrje shumë para-shkrim-leximit ndaj mendimit mistik dhe emocional. Kjo ishte ajo që historianët e shekullit të shtatëmbëdhjetë e quajnë kultura “përfaqësuese” e pushtetit, sistemi shumë vizual i propagandës monarkike që impononte mbi nënshtetasit imazhin e frikshëm dhe madhështor të mbretit. Regjimi e shfaqte fuqinë e tij në parada, piktura, shfaqje fishekzjarrësh, statuja dhe ndërtesa madhështore. Sistemi funksiononte në një epokë para shkrim-leximit masiv. Por, ndërsa dija u përhap nëpër shoqëri dhe mënyrat analitike e kritike të të menduarit të nxitura nga shtypi filluan të zinin vend, e gjithë atmosfera mendore dhe kulturore që mbështeste rendin e vjetër u dogj. Njerëzit filluan të dinin shumë. Dhe, të mendonin shumë. Rendi feudal duket se është në thelb i papajtueshëm me shkrim-leximin. Historiani Orlando Figes ka vënë në dukje se revolucionet angleze, franceze dhe ruse ndodhën që të gjitha në shoqëri ku niveli i shkrim-leximit po i afrohej pesëdhjetë përqindëshit. Libri i Robert Darntonit , Temperamenti revolucionar [ The Revolutionary Temper ], përshkruan kaosin që epoka e shtypit lëshoi mbi regjimin e vjetër në Francë. Dija u përhap në shoqërinë franceze me pasoja katastrofike: të burgosurit politikë shkruanin kujtime bestseller që njoftonin burgosjen e tyre të padrejtë nga shteti; njerëzit e zakonshëm lexonin pamflete për pasurinë e tepruar dhe të padrejtë që gëzonin aristokratët; financat katastrofike të qeverisë papritur filluan të debatoheshin nga një publik i habitur dhe i zemëruar, në vend që të diskutoheshin prapa dyerve të mbyllura në dhomat e pasme të Versajës. Ndërkohë, mënyrat analitike dhe kritike të të menduarit filluan të gërryenin themelet mistike dhe emocionale të rendit të vjetër. Filozofët dhe mendimtarët radikalë të Iluminizmit, të mbështetur nga një publik gjithnjë në rritje i klasës së mesme lexuese, filluan të bënin pyetje kritike të atij lloji që në thelb janë të lidhura me kulturën e shtypit. Nga vjen pushteti? Pse disa njerëz duhet të kenë shumë më tepër se të tjerët? Pse nuk janë të gjithë njerëzit të barabartë? *** Vlen të theksohet se ky përshkrim shumë i thjeshtuar përjashton qartë shumë nga faktorët që modelojnë rrjedhën e historisë: ekonominë, klimën, burrat dhe gratë individuale, rastësinë. Vetëm shtypi nuk mund të sjellë paqe dhe demokraci (mjafton të shohim pasojat e revolucionit rus). Dhe, shtypi nuk mund të zhdukë tendencat e lindura njerëzore ndaj partive dhe dhunës (mjafton të shohim pasojat e revolucionit francez). Shtypi sigurisht nuk është imun ndaj lajmeve të rreme dhe teorive konspirative (mjafton të shohim periudhën para revolucionit francez) *** Por, nuk është e nevojshme të besosh se shtypi është sistem i përsosur dhe i pakorruptueshëm komunikimi për të pranuar se ai është gjithashtu pothuajse me siguri një kusht i domosdoshëm paraprak për demokracinë. Në Duke zbavitur veten deri në vdekje , Neil Postmani argumenton se demokracia dhe shtypi janë pothuajse të pandashëm. Një demokraci efektive presupozon një qytetari relativisht të informuar dhe disi kritike, të aftë për të kuptuar dhe debatuar çështjet e ditës gjerë e gjatë. Demokracia merr forcë të pamatshme nga shtypi - nga bota e vjetër që po vdes e librave, gazetave dhe revistave - me prirjen e saj për të nxitur njohuri të thella, argument logjik, mendim kritik, objektivitet dhe angazhim të paanshëm. Në këtë mjedis, njerëzit e zakonshëm kanë mjetet për të kuptuar sundimtarët e tyre, për t’i kritikuar dhe, ndoshta, për t’i ndryshuar. Postmani përmend debatet Lincoln-Douglas të vitit 1858, në të cilat të dy kandidatët presidencialë folën për një kohë jashtëzakonisht të gjatë dhe me një nivel të jashtëzakonshëm detajesh, si një nga kulmet e kulturës së shtypit: Rregullat e debatit parashikonin që Douglasi të fliste i pari për një orë; Lincolni do të përgjigjej për një orë e gjysmë; Douglasi pastaj kishte gjysmë ore për t’iu kundërpërgjigjur përgjigjes së Lincolnit. Ky debat ishte dukshëm më i shkurtër se ato me të cilat të dy burrat ishin mësuar ... më 16 tetor 1854, në Pioria të Ilinoisit, Douglasi mbajti një fjalim prej tre orësh, të cilit Lincolni, sipas marrëveshjes, do t’i përgjigjej. Kur Postmani shkruante në fund të viteve 1980, debatet e tilla tashmë ishin të paimagjinueshme. Për ironi, debatet televizive që ai i kritikonte si të degraduara, të painformuara dhe tepër emocionale, sot u duken shikuesve të shekullit njëzet e një pothuajse të qytetëruara dhe në nivel të lartë intelektual. Politika në epokën e videove të shkurtra favorizon emocionin e shtuar, paditurinë dhe pohimet pa prova. Në rrethana të tilla, mashtruesit karizmatikë kanë kushte shumë të favorshme. Në mënyrë të pashmangshme, partitë dhe politikanët armiqësorë ndaj demokracisë lulëzojnë në botën post-shkrim-lexim. Përdorimi i TikTok -ut lidhet me rritjen e përqindjes së votave për partitë populiste dhe të djathtën ekstreme. TikTok -u, siç thotë shkrimtari Ian Leslie, është “karburant raketor për populistët”. Pse i sjell përfitim [ TikTok -u] populistëve në mënyrë disproporcionale? Sepse, pothuajse sipas përkufizimit, populizmi lulëzon mbi emocionet, jo mbi mendimet; mbi ndjenjat, jo mbi fjalitë. Populistët specializohen në dhënien e atij shpërthimi sigurie që ndien kur e di se ke të drejtë. Ata nuk duan që ju të mendoni. Mendimi është vendi ku siguria shkon për të vdekur. Rendi liberal demokratik racional dhe i paanshëm i bazuar në shtyp mund të mos mbijetojë këtë revolucion. Në ferrin e budallallëkut Kompanitë e mëdha të teknologjisë pëlqejnë ta shohin veten si të përkushtuara ndaj përhapjes së dijes dhe kureshtjes. Në fakt, për të mbijetuar, ato duhet të promovojnë budallallëkun. Oligarkët e teknologjisë kanë po aq interes në paditurinë e popullsisë sa edhe autokratët më reaksionarë feudalë. Zemërimi i verbër dhe mendimi partiak na mbajnë të ngjitur për telefonat tanë. Dhe, ndërsa monarkitë e vjetra evropiane duhej (shpesh në mënyrë të pasuksesshme) të përpiqeshin të censuronin materialin e rrezikshëm kritik, kompanitë e mëdha të teknologjisë e sigurojnë paditurinë tonë shumë më me efikasitet duke e përmbytur kulturën tonë me zemërim, shpërqendrim dhe kotësi. Këto kompani po punojnë në mënyrë aktive për të shkatërruar iluminizmin njerëzor dhe për të sjellë një epokë të re të errët. Revolucioni i ekranit do ta skalisë politikën tonë po aq thellë sa revolucioni i leximit i shekullit të tetëmbëdhjetë. Pa dijen dhe pa aftësitë e mendimit kritik që ushqehen nga shtypi, shumë qytetarë të demokracive moderne janë po aq të pafuqishëm dhe po aq të besueshëm sa fshatarët mesjetarë - që preken prej thirrjeve irracionale dhe që janë të prirë ndaj mendimit të turmës. Bota pas shtypit i ngjan gjithnjë e më shumë botës para shtypit. Besëtytnitë dhe mendimi antidemokratik lulëzojnë. Kërkimi studimor në universitetet tona formësohet nga përkatësia e ngurtë partiake, jo nga toleranca dhe kureshtja. Arti dhe letërsia jonë janë më të ashpra dhe më të thjeshta. Shumë njerëz sot janë po aq dyshues ndaj vaksinave sa fshatarët e paarsimuar të shekullit të tetëmbëdhjetë të satirizuar nga karikaturisti James Gillray më shumë se dyqind vjet më parë. Ndërsa pushteti, pasuria dhe dija përqendrohen në majë të shoqërisë, një publik i zemëruar, i përçarë dhe i painformuar nuk ka një mënyrë për të kuptuar, analizuar, kritikuar apo ndryshuar atë që po ndodh. Në vend të kësaj, gjithnjë e më shumë njerëz impresionohen nga ato lloje thirrjesh shumë emocionale, karizmatike dhe mistike që ishin themeli i pushtetit në epokën para përhapjes së shkrim-leximit. Ashtu siç ardhja e shtypit i dha goditjen përfundimtare botës së kalbur të feudalizmit, kështu edhe ekrani po shkatërron botën e demokracisë liberale. Ndërsa kompanitë e teknologjisë zhdukin shkrim-leximin dhe vendet e punës të klasës së mesme, ne mund të përfundojmë në një epokë të dytë feudale. Ose mbase po hyjmë në një epokë politike përtej imagjinatës sonë. Çfarëdo që të ndodhë, ne tashmë po shohim botën që dikur njihnim teksa po shkrihet. Asgjë nuk do të jetë kurrë më njësoj. Mirë se vini në shoqërinë post-shkrim-lexim. /Telegrafi/ [1] Kur George Orwell raportoi në vitin 1940 mbi një studim të ri të botuar për zakonet e leximit të fëmijëve, ai zbuloi se fëmijët lexonin “vullnetarisht” veprat e shkruara nga Charles Dickens, Daniel Defoe, Robert Louis Stevenson, GK Chesterton dhe Shakespeare. Këta fëmijë, vuri ai në dukje, “ishin të moshës midis 12 dhe 15 vjeç dhe i përkisnin shtresës më të varfër të komunitetit”. [2] Protestoj duke thënë se kam lexuar Peter Brownin dhe e pranoj se ky është një karakterizim i thjeshtuar (edhe pse shpresoj i fuqishëm në aspektin retorik) i antikitetit të vonë. Por, mendoj gjithashtu se përpjekjet e fundit në modë për ta riemërtuar “Mesjetën e errët” si “Epokën e dritës” mund të jenë paksa të tepruara. Normat e shkrim-leximit në antikitetin e vonë vërtet kanë rënë. [3] Njerëzit ndonjëherë kundërshtojnë duke thënë Sokrati vajtonte vdekjen [e shkaktuar!] nga shkrimi. Argumenti i hollësishëm i Havelockut, siç paraqitet në librin e tij Parathënie për Platonin [ Preface to Plato ], ia vlen të lexohet i plotë. Një pikë që ai thekson është se vetë Sokrati ishte produkt i një klime intelektuale që tashmë po ndikohej thellësisht nga shkrimi. Platoni, sipas Havelockut, ishte militant aktiv kundër mënyrave të të menduarit para-shkrim-lexim. [4] Kjo nuk do të thotë se shoqëritë që dinë shkrim-lexim janë “më të mira” ose më inteligjente se shoqëritë orale. Siç shkruan Ongu, shoqëritë orale janë të afta për bëma të kujtesës që janë mahnitëse për të huajt. Por, është e vërtetë se zakonet e të menduarit të lidhura me shkrim-leximin duket se janë thelbësore për llojin e qytetërimit të përparuar dhe kompleks në të cilin jetojmë.