Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINTI), ka njoftuar se njësitë policore për krime ekonomike kanë qenë të pranishme sot në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), në kuadër të një hetimi që lidhet me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas vdekjes së pronarit. “Sot në mëngjes, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), kanë qenë të pranishme njësitë policore për krime ekonomike, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas ndërrimit të jetës së pronarit”, thuhet në njoftim. Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike me aksion në ARBK, ndalohen për intervistim tre zyrtarë Sipas ministrisë, stafi i ARBK-së kishte identifikuar më herët një keqinterpretim të një aktgjykimi gjyqësor, i cili më pas është korrigjuar përmes procedurave ligjore dhe administrative. “Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thekson MINTI. Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin e plotë me organet e drejtësisë për zbardhjen e rastit. “Ministria dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve mbeten plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”, thuhet në njoftim. Aksioni policor në ARBK, Prokuroria jep detaje Po ashtu, MINTI ka siguruar qytetarët se po punon për rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike në këtë institucion. “Institucionet janë duke punuar me vëmendje të shtuar në ngritjen dhe avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës, saktësisë së informacionit dhe sigurisë juridike”, përfundon njoftimi. Ndryshe, Telegrafi ka mësuar se gjatë këtij aksioni në polici për intervistim janë shoqëruar U.D kryeshefja e ARBK-së dhe dy zyrtarë të tjerë. /Telegrafi/