UNICEF në Kosovë ka reaguar pas rastit të rëndë të dhunës ndaj një fëmije 5-vjeçar në Lipjan, duke e cilësuar atë si një shkelje serioze të të drejtave të fëmijëve dhe duke bërë thirrje për veprim urgjent institucional. “UNICEF-i në Kosovë është thellësisht i tronditur nga rasti i raportuar i një fëmije 5-vjeçar nga Lipjani, i cili aktualisht po merr trajtim intensiv mjekësor pas dhunës dhe neglizhencës së rëndë”, thuhet në reagim. Ky organizëm ndërkombëtar thekson se dhuna ndaj fëmijëve nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. “Asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë dhunë, frikë apo neglizhencë, sidomos brenda shtëpisë së tij, e cila duhet të jetë një vend sigurie, kujdesi dhe mbrojtjeje”, theksohet në deklaratë. Lipjani paralajmëron masa ndaj zyrtarëve nëse vërtetohet neglizhencë në rastin e 5-vjeçarit UNICEF vlerëson se rasti përbën shkelje të rëndë të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, duke rikujtuar detyrimet ligjore të institucioneve për mbrojtjen e tyre. “Ky rast pasqyron një shkelje serioze të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e cila garanton mbrojtjen e çdo fëmije nga dhuna, abuzimi dhe neglizhenca”, thuhet tutje. Organizata kërkon nga autoritetet që të ndërmarrin hapa konkretë dhe të sigurojnë drejtësi për rastin. “UNICEF-i në Kosovë kërkon nga autoritetet të kryejnë një hetim të plotë, të sigurojnë përgjegjshmërinë dhe të ofrojnë mbrojtje të menjëhershme dhe kujdes afatgjatë për fëmijën”, theksohet në reagim. Po ashtu, UNICEF bën thirrje për forcimin e sistemeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe rritjen e vigjilencës në raportimin e rasteve të dhunës. “Asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë në heshtje. Sistemet e forta shpëtojnë jetë, dhe kjo duhet të jetë një pikë kthese për veprim”, përfundon deklarata. /Telegrafi/