AMC reagon për rastin e 5-vjeçarit në Lipjan: Kërkon ndërhyrje urgjente dhe përgjegjësi për autorët

Organizata Action for Mothers and Children (AMC) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e një 5-vjeçari në Lipjan, i cili dyshohet se ka pësuar keqtrajtim të rëndë në shtëpinë e tij dhe aktualisht po merr trajtim urgjent mjekësor. Në reagimin e saj, AMC ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e fëmijës dhe vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës për rastin. “Asnjë fëmijë nuk duhet kurrë të përjetojë dhunë apo neglizhencë”, thuhet në reagimin e organizatës. AMC ka theksuar se mbrojtja e fëmijëve nga çdo formë dëmtimi është përgjegjësi e përbashkët e familjeve, komuniteteve dhe institucioneve, duke shtuar se çdo fëmijë meriton të rritet në një mjedis të sigurt, me dashuri dhe i lirë nga frika.