Ministria e Financave dhe Banka Gjermane për Zhvillim kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 81 milionë eurove, me qëllim avancimin e reformave dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik në Kosovë. Ministria e Financave ka njoftuar se paketa përfshin një kredi prej 80 milionë eurove dhe një grant prej 1 milion euro për mbështetjen e zbatimin të reformave në sektorin e energjisë. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve ka marrë pjesë edhe ambasadori gjerman Rainer Rudolph. “Ministri i Financave Hekuran Murati theksoi se kjo mbështetje do të kontribuojë në modernizimin e kornizës ligjore dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të energjisë elektrike, duke mundësuar integrimin e mëtejmë në tregjet rajonale dhe evropiane, si dhe duke nxitur investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë.”- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave. Udhëheqësi i divizionit të enegjisë në këtë bankë, Pablo Obrador Alvarez ka thënë se ky program është i pari për Kosovën dhe krijon bazë për modernizimin dhe integrimin e sektorit të energjisë. Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për rekomandimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë me KfW për programin në sektorin e energjisë dhe klimës për Kosovën.