Apeli ia ul dënimin në 13 vjet burgim Zhivojin Neshiqit, i akuzuar për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë

Gjykata e Apelit e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit Zhivojin Neshiq, duke ia ulur dënimin nga 15 në 13 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë. Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor Neshiqin dhe e kishte dënuar me 15 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi” “APROVOHET pjesërisht si e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit Zhivojin Neshic dhe NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtine – Departamenti Special, PS.nr.71/2024 i datës 17.06.2025, përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin Zhivojin Neshic për veprën penale për të cilën është shpall fajtor i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) viteve”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 17 mars 2026. Apeli e ka hudhur si të palejuar ankesën e përfaqësueses së palës së dëmtuar, avokates Makifete Saliuka e paraqitur kundër aktgjykimit të Themelores. Po ashtu, pjesa tjetër e ankesës së mbrojtësi i të akuzuarit Neshiq, avokatit Millosh Deleviq u refuzua si e pabazuar, ndërsa pjesa tjetër të aktgjykimit mbetet e pandryshuar. Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishet paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Neshiq, avokati Millosh Deleviq për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal. Ka propozuar që Apeli ta lirojë të akuzuarin në mungesë të provave apo lëndën ta kthejë në rigjykim. Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Makifete Saliuka, ka parashtruar ankesë për shkak të zbatimit të gabuar të Ligjit Penal lidhur me sanksionin penal, duke propozuar të ndyshohet aktgjykimi i Themelores në pjesën që ka të bëjë me shqiptimin e dënimit dhe që ta dënojë Neshiqin me 20 vjet burgim. Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që ankesa e avokatiit Deleviq të refuzohet si e pabazuar, ndërsa të aprovohet ankesa e avokates Saliuka dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me burgim prej 20 vitesh. Sipas pretendimeve ankimore të avokatit Deleviq, gjykata e shkallës së parë nuk i vlerësoi siç duhet të gjitha faktet vendimtare të këtij rasti. Sipas mbrojtjes, Themelorja ka pranuar versionin e mëvonshëm të deklarimit të viktimës, duke ndryshuar kualifikimin ligjor të veprës penale nga tentativa në vepër penale të përfunduar, pa dëshmi mjekësore apo prova tjera objektive. Po ashtu, mbrojtja kishte pretendenduar se gjykata e shkallës së parë ka shkel Ligjin Penal, pasi që nuk ka individualizim të veprimeve të të pandehurit dhe as prova të cilat vërtetojnë dashjen e tij, dhe se vetëm prania e tij në uniformë dhe rrethanat e përgjithshme të konfliktit nuk janë të mjaftueshme. Në ankesën e mbrojtjes janë theksuar edhe pretendimet për shkeljet esenciale të procedurës, në mungesë të arsyeve të qarta dhe të plota mbi faktet vendimtare, identifikimet e kryera pa praninë e mbrojtjes, kontradikta në deklaratat e dëshmitarëve dhe mungesës së provave objektive për inkriminim të të pandehurit, duke propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim. Në pretendimet ankimore të saj, avokatja Makifete Saliuka ka konsideruar se dënimi është tejet i butë dhe nuk përkon me peshën e veprës penale, pasojat dhe dëmin e shkaktuar. Cilat janë gjetjet e Apelit? Sipas aktgjykimit të nxjerrë nga Gjykata e Apelit, janë të pabazuara pretendimet e avokatit Deleviq se dispozitivi i aktakuzës dhe aktgjykimit është i paqartë, bie ndesh me arsyetimin, mungojnë arsyet mbi faktet vendimtare, si dhe se arsyet janë kontradiktore apo të vlerësuara gabimisht, veçanërisht në raport me shkeljet procedurale. Kolegji i kësaj Gjykate ka vlerësuar se dispozitivi përmban përshkrim të mjaftueshëm të elementeve faktike dhe juridike të veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, dhe se konkludimi i gjykatës së shkallës së parë është mbështetur në prova dhe dëshmi që inkriminojnë veprimet e të akuzuarit. Tutje, pretendimet e mbrojtjes se deklaratat e dëshmitarëve dhe procedura e identifikimit janë realizuar pa praninë e mbrojtësit, Apeli i ka vlerësuar si të pabazuara. Mbrojtja në pretendimet ankimore ndaj aktgjykimit të Themelores ka pretrenduar se deklarimet e viktimës në periudha të ndryshme kohore përmbajnë kundërthënie thelbësore. Por, Kolegji i Apelit ka vlerësuar se dëshmia e dëshmitares – të dëmtuarës D1., karakterizohet nga qartësia, pasi faktet dhe rrethanat tregohen në përputhje me kronologjinë e zhvillimit dhe logjikën jetësore të ngjarjes. Andaj, këto pretendime nuk qëndrojnë. Gjithashtu, Apeli i ka vlerësuar si të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtjes se identifikimi i të akuzuarit nga ana e viktimës dhe dëshmitarëve është i pasigurt dhe i pambështetur në prova të mjaftueshme. “Nga analiza kronologjike e provave të administruara në këtë çështje rezulton se identiteti i të pandehurit është përmendur dhe konfirmuar në mënyrë konsistente gjatë gjithë fazave të procedurës”, thuhet në vendimin e Apelit. Po ashtu, edhe pretendimi për kontradiktë në deklarimet e viktimës lidhur me tentativën apo dhunimin e përfunduar, Kolegji i Apelit ka vlerësuar se nuk qëndron. Kurse për mungesë dëshmish mjekësore, Apeli ka vlerësuar se nuk është rrethanë që përjashton vërtetimin e veprës penale.