Fermin Lopez hyn në histori te Barcelona me rekord në Ligën e Kampionëve

Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, ka hyrë në historinë e klubit katalanas duke u bërë lojtari i parë spanjoll që regjistron mbi 10 kontribute në gola brenda një sezoni të vetëm në Ligën e Kampionëve. 22-vjeçari ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren e thellë 7-2 të Barcelonës ndaj Newcastle United në kuadër të fazës së 1/8-ës së finales. Lopez realizoi në minutën e 51-të për rezultatin 4-2 dhe gjithashtu dhuroi një asistim gjatë ndeshjes. Falë kësaj paraqitjeje, ai ka arritur në kuotën e 10 kontributeve në gola në këtë edicion të Ligës së Kampionëve (6 gola dhe 4 asistime), duke vendosur një rekord të ri për lojtarët spanjollë në historinë e Barcelonës. Forma e tij e shkëlqyer nuk kufizohet vetëm në arenën evropiane. Në të gjitha garat këtë sezon, Lopez ka regjistruar 12 gola dhe 16 asistime në 38 paraqitje, duke u shndërruar në një nga elementët kyç të skuadrës, teksa Barcelona synon suksese si në kampionat ashtu edhe në Evropë. /Telegrafi/