Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura. “Reshjet e shiut të herëpashershme me intensitet të ulët priten të jenë prezentë që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit në pjesën të madhe të territorit. Gradualisht pas orëve të mëngjesit reshjet e shiut humbasin intensitet dhe territor duke mbetur prezentë deri në orët e mesditës me intensitet të ulët në qendër dhe jug të vendit”, thuhet në njoftim. Në zonat malore në verilindje-lindje-juglindje në lartësinë mbi 1200 metra do të ketë reshje bore me intensitet të ulët. Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 12 m/s. Deti - Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 1-4 ballë. /Telegrafi/