Sulmuesi i Hoffenheimit Fisnik Asllani thotë se me gjithë zemër ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar. Ylli dardan ka dhënë një intervistë të gjatë në podcastin e BILD, ku ndër të tjera foli edhe për vështirësitë që kaloi babai i tij, si dhe lëndimin serioz në gju. Asllani shpjegoi se ndihet falënderues ndaj Gjermanisë dhe Federatës gjermane megjithatë vendimi për Kosovën ka qenë i duhuri. “Pak pasi iu bashkova ekipit U21 (të Gjermanisë), vendosa me gjithë zemër. Ndjenja më thoshte se të luaj për Kosovën ishte vendimi i duhur”. “Jam shumë i afërt me vendlindjen. I kalova të gjitha pushimet verore atje, gjithnjë jemi në Kosovë. Kam shumë familjar aty, por ndihem falënderues ndaj Federatës Gjermane sepse nuk do të isha lojtari që jam këtu nëse Gjermania nuk do të më ndihmonte pavarësisht që në fund vendosa për Kosovën”. Asllani ka treguar se babai i tij gjithnjë e ka mbështetur dhe i ka qëndruar pranë pavarësisht vështirësive. “Zgjohej në orën katër ose pesë të mëngjesit, voziste mbi një orë dhe pastaj punonte tërë ditën. Niste aq herët për ta përfunduar punën dhe të vinte në stërvitje”. “Nga puna vinte direkt në stërvitje më shikonte dhe pastaj e merrnim trenin për në shtëpi. Shkonim në shtëpi rreth orës 9 të mbrëmjes. Nëna e kishte përgatitur darkën, hanim shpejtë, bëja detyrat dhe shkoja në shtëpi, pastaj kjo ndodhte çdo ditë”. “Babai gjithnjë më thoshte “Do të jemi me ty në çdo hap, pavarësisht ku shkon do të jemi me ty”. Për mua ishte normale sepse familja gjithnjë ka qenë mbrapa meje”. Ndërkohë, Asllani do të tentojë që me yjet e tjerë dardanë ta kualifikojnë Kosovën në Kupën e Botës këtë muaj, ku përballemi me Sllovakinë më 26 mars./ Telegrafi/